Kamala Harris apo Donald Trump? Kush fiton sipas tregjeve të basteve!
Dritare.net
Tregjet e basteve janë ngushtuar ndjeshëm përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe ende kanë Donald Trump përpara Kamala Harris, por hendeku duket se po ngushtohet.
Ish-presidenti dhe aleatët e tij i kanë shpallur parashikimet e tregut të basteve në javët e fundit si më të sakta se sondazhet tradicionale, me platformat kryesore që e vendosin atë shumë përpara Harris. Tregjet e basteve janë rritur në popullaritet gjatë kësaj fushate elektorale, kryesisht aplikacionet ndërkombëtare si Polymarket dhe Kalshi, sipas Guardian.
Shumë parashikime të tregut të basteve se kush ka më shumë gjasa të fitojë zgjedhjet, devijuan gjithashtu nga sondazhet standarde. Ndërsa sondazhet po tregonin një garë tepër të ngushtë për Shtëpinë e Bardhë, disa javë më parë platformat e basteve po i jepnin Trump një epërsi të qartë.
Polymarket tani i vendos shanset për zgjedhjen e Donald Trump në 58%, nga 67% javën e kaluar, Kalshi tani i vendos në 53%, nga 65%.
Një platformë tjetër i vlerësoi shanset e Harris si më të larta se ato të Trump për herë të parë në gati një muaj. Kandidatja demokrate kishte një shans prej 53 për qind për të fituar, sipas PredictIt, i cili më parë i kishte dhënë Trump një shans 51 për qind.
Sigurisht, duhet theksuar se parashikimet e basteve ndryshojnë në varësi të aksioneve. Për sa kohë që ka një lëvizje të gjerë bastesh në favor të Donald Trump, atëherë shanset e tij për t'u zgjedhur duken përkatësisht më të larta. E njëjta gjë për anën tjetër.
Një sondazh mahnitës i Iowa-s që e vendosi Harris-in papritur përpara Trump-it tronditi vëzhguesit amerikanë të sondazheve gjatë fundjavës. Ekspertët e tregut të basteve thonë se lojtarët marrin parasysh një sërë faktorësh kur vendosin një bast, duke përfshirë rezultatet e sondazheve të tilla.
Javët e fundit janë ngritur pyetje rreth aktivitetit në tregjet e basteve. Kur u zbulua se një burrë kishte vënë bast më shumë se 30 milionë dollarë për fitoren e Trump në Polymarket, si ai ashtu edhe platforma u shprehën se nuk ishte një përpjekje për të manipuluar tregun.
“Qëllimi im është vetëm të fitoj para”, tha burri, i cili e quan veten Théo, për Wall Street Journal, duke këmbëngulur se ai nuk kishte “absolutisht asnjë axhendë politike”./K.C/dritare.net