
Kush është Julian Assange, i cili do pranojë fajësinë sot dhe do të lirohet nga burgu!
Dritare.net

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange pritet të pranojë sot fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh, në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë, e cila do ta lirojë atë nga burgu, duke i dhënë fund një sage ligjore 14-vjeçare.
Assange, 52-vjeç u akuzua për komplot për të marrë dhe zbuluar informacionin e mbrojtjes kombëtare. Për vite me radhë, SHBA-ja ka argumentuar se dosjet e Wikileaks të cilat zbulonin informacione për luftërat në Irak dhe Afganistan, rrezikonin jetë. Assange i kaloi pesë vitet e fundit në një burg britanik, nga ku po luftonte ekstradimin në SHBA. Assange do të kthehet në Australi, sipas një letre nga departamenti i drejtësisë. Në X, Wikileaks njoftoi se Assange u largua nga burgu Belmarsh të hënën pas 1,901 ditësh në qeli. Ai dhe avokatët e tij prej kohësh pretendonin se çështja kundër tij ishte e motivuar politikisht. Në prill, presidenti amerikan Joe Biden tha se po shqyrtonte një kërkesë nga Australia për të hequr ndjekjen penale kundër Assange, citon BBC.
Wikileaks, të cilin Assange e themeloi në vitin 2006, pretendon se ka publikuar mbi 10 milionë dokumente në atë që qeveria amerikane më vonë e përshkroi si një nga kompromiset më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 2010, faqja e internetit publikoi një video nga një helikopter ushtarak amerikan që tregonte më shumë se një duzinë civilësh irakianë, duke u vrarë në Bagdad. Assange gjithashtu u përball me akuza të veçanta për përdhunim dhe sulm seksual në Suedi, të cilat ai i mohoi. Ai kaloi shtatë vjet i fshehur në ambasadën e Ekuadorit në Londër./M.K-dritare.net

















