
Punonte si gjinekologe/ Ministrja në qeverinë e Macron akuzohet për përdhunimin e një gruaje!
Dritare.net
Prokurorët francezë gjatë një hetimi të ngritur kanë zbuluar skandalin e një ministreje të re të emëruar së fundmi në qeverinë e Emanuel Macron.
Akuzat për përdhunim datojnë në kohën kur ministrja, Chrysoula Zacharopoulou e cila tani është sekretare e shtetit për zhvillimin, Frankofoninë dhe partneritetet ndërkombëtare, punonte ende si gjinekologe.
Një ankesë është bërë më 25 maj dhe dy ditë më vonë është hapur hetimi, sipas prokurorëve. Ankesa e dytë është bërë më 16 qershor.
Zacharopoulou, 46 vjeç, lindur në Greqi, iu bashkua qeverisë së kryeministres Elisabeth Borne në maj, duke qenë anëtare e Parlamentit Evropian për tre vitet e mëparshme. Ajo i raporton Ministres së Jashtme Catherine Colonna.
Zacharopoulou fitoi rëndësi në vitin 2015 duke bërë fushatë për ndërgjegjësimin më të madh të publikut për endometriozën së bashku me aktoren Julie Gayet, e cila këtë vit u martua me ish-presidentin francez, Francois Hollande.
Gjithashtu Zacharopoulou ishte e përfshirë fuqishëm në përpjekjet e OKB-së për përhapjen e vaksinës së koronavirusit COVAX dhe ka folur në favor të të drejtave riprodhuese të grave.
Këto nuk janë akuzat e para për përdhunim që vënë në hije qeverinë e Macron dhe vijnë në një kohë vështirësish politike për presidentin, pasi ai nuk arriti të mbajë shumicën në zgjedhjet parlamentare. Prokurorët hetuan ministrin e Brendshëm Gerald Darmanin mbi një akuzë për përdhunim të paraqitur në vitin 2017. Ai mohoi çdo keqbërje dhe prokurorët në janar kërkuan që çështja të pushohej. Ministri i Solidaritetit Damien Abad ishte gjithashtu objektivi i akuzave për përdhunim në një polemikë që shpërtheu muajin e kaluar, por prokurorët francezë kanë thënë se aktualisht nuk po hapin një hetim./DailyMail

















