Trump paralajmëron Iranin: Do t'ju godasim më fort sot
Dritare.net

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ushtria amerikane do të vazhdojë sulmet ndaj Iranit, duke paralajmëruar goditje të reja gjatë ditës së sotme pas përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.
“Ne i goditëm fort dje dhe do t’i godasim fort sërish sot”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, ndërsa përsëriti thirrjen që Irani të pranojë një marrëveshje me SHBA-në.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian reagoi përmes një postimi në rrjetin X, duke deklaruar se Irani “do të qëndrojë i vendosur përballë çdo presioni apo kërcënimi”.
Përplasja e re vjen pasi SHBA kreu sulme ndaj objektivave iraniane të martën, pas pretendimeve të Trump se një helikopter ushtarak amerikan ishte rrëzuar nga Irani pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), sulmet kishin në shënjestër sistemet e mbrojtjes ajrore, stacionet e kontrollit dhe radarët iranianë në zonën strategjike të Hormuzit.
Në përgjigje, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se ka goditur baza amerikane në rajon, ndërsa autoritetet amerikane pretendojnë se pothuajse të gjitha raketat dhe dronët iranianë janë neutralizuar pa shkaktuar viktima.
Më herët gjatë ditës, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social se "Irani i ka vonuar shumë negociatat” dhe se tani “do ta paguajë çmimin”, duke shtuar se vendi është “plotësisht i mposhtur ushtarakisht”.
Ndërkohë, Teherani akuzon Uashingtonin për minimin e përpjekjeve diplomatike dhe shkelje të armëpushimit, duke paralajmëruar se do të rishqyrtojë vazhdimin e negociatave.
Tensionet mbeten të larta, ndërsa programi bërthamor iranian vazhdon të jetë pika kryesore e mosmarrëveshjes mes Iranit, SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë./dritare.net