Çfarë hanë mjekët për zemër të shëndetshme? Zbulo sekretin e tyre!
Dritare.net

Kultura e “fast food-it”, pijet me sheqer dhe ushqimet e përpunuara po kthehen në një rrezik serioz për shëndetin e zemrës, sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë. Kardiologu i njohur, Prof. Anesti Kondili, në një intervistë për DritareTV, thekson se mënyra e të ushqyerit sot po krijon terren për sëmundje të zemrës që në moshë shumë të re.
Sipas mjekut fëmijët dhe adoleshentët po rriten me produkte të pasura me karbohidrate të përpunuara dhe yndyrna të dëmshme, ndërkohë që konsumojnë shumë pak ushqime natyrale. Ai paralajmëron se edhe produktet që reklamohen si “light” apo “0% yndyrë” shpesh janë të mbushura me sheqer, i cili në organizëm shndërrohet në yndyrë dhe dëmton enët e gjakut.
“Ushqimi i sotëm po përshpejton procesin e aterosklerozës. Ajo që dikur shfaqej në moshë të madhe, tani po fillon që herët,” shpjegon Prof. Kondili.
Si zgjidhje, kardiologu rekomandon rikthimin te dieta mesdhetare, e cila mbetet më e shëndetshmja për zemrën. Në qendër të saj duhet të jenë zarzavatet, të cilat mbushin stomakun pa shtuar kalori të tepërta, vajrat bimore, sidomos vaji i ullirit, si dhe mishi i bardhë, si peshku dhe pula, në vend të mishit të kuq.
Ai këshillon gjithashtu kufizimin maksimal të ushqimeve të shpejta, pijeve me sheqer dhe produkteve të përpunuara industrialisht, duke i zëvendësuar ato me ushqime sa më natyrale dhe të gatuara në shtëpi.
“Ushqimi është ilaçi i parë për zemrën,” thekson Prof. Kondili, duke shtuar se ndryshime të vogla në tryezë sot mund të parandalojnë sëmundje të rënda nesër.