Na ndiqni edhe në

Editorial

A iku Berisha nga dera që të futet nga penxherja?

A iku Berisha nga dera që të futet nga penxherja?

Nga Dritan Hila

Ka skepticizem mbi lëvizjen e fundit të Bashës që e përjashton Berishën nga grupi parlamentar.

Një pjesë e njerëzve besojnë se ky është një “False Flag”, një lëvizje e rreme që të shpëtojë Berishën nga përndjekja amerikane por edhe nga turpërimi që ta përjashtonte nga parlamenti, duke bërë që Berisha të jetë prezent në politikën aktive por edhe vendimet e PD-së këtej e mbrapa të paraqiten si sovrane. Shumë shpejt do të merret vesh nëse e gjitha kjo ishte një lojë e aktruar mjeshtërisht apo çarje reale. Solemniteti i Bashës, sytë e skuqur të Berishës dhe premtimet e tij për luftë, patetizmi aktorëve mediatikë, nuk tregon ende se çarja është reale.

Nëse është e vërtetë që e gjitha është një shfaqje, atëhere target i hakmarrjes amerikane do të jetë edhe Lulzim Basha. Amerikanëve nuk iu pëlqen t'i vënë në lojë.

Një pjesë e publikut mendon se ky është një hap që Basha e ka marrë në marrëveshje me Berishën por rrugës do ta godasë realisht mentorin e tij. Është një rrugë e gjatë dhe pa shanse suksesi. Komuniteti ndërkombëtar është i lodhur nga lojërat e gjata dhe tërholljet e Bashës.

Një hamendesim është që ndarja është reale. Dhe kjo prodhon dy variabla. Nëse Berisha i hyn rrugës se rimarrjes së PD-së, kjo do ta përçajë keq partinë. Aktualisht në PD ka një mase të konsiderueshme ndjekësish të Bashës por edhe realistë që e dinë se me Berishën nëpër këmbë nuk vijnë dot në pushtet. PD do përçahet keqas dhe do duhet kohë që një aleancë partish të djathta të kërcënojë realisht pushtetin e të majtëve.

Dhe është edhe mundesia që Basha ta ketë seriozisht përjashtimin e Berishës dhe PD-së ta ndjekë kompakte në këtë rrugë. Ky në fakt duket më i vështiri nga variantet. Por është edhe i vetmi që mund të sjellë në pushtet të djathtët./dritare.net