Nga Dritan Hila
Të hënën opozita e Berishës ka premtuar aksion opozitar.
Varianti i parë ka qenë ai i mosbindjes civile. Ky është një lloj opozitarizmi i shpikur nga Mahatma Gandi në Indi dhe jo pa sukses. Tentoi ta aplikonte edhe Rugova në Kosovë duke bërë një vrimë në ujë dhe duke rrezikuar që të zbrazte Kosovën nga shqiptarët. Mosbindja civile kërkon që të jesh një popullsi disaherë më e madhe nga ai që i kundërvihesh dhe mos të kesh kufij tokësorë. Ndaj pati sukses në Indi dhe fjasko në Kosovë. Pastaj nëse bëhet në Shqipëri ku opozita ka vetëm 20% të popullsisë dhe udhëheqësit të shpërndarë si zogjtë e korbit, do kthehet në komedi.
I ndodhur përballë mungesës së numrave, Berisha në votime e fsheh veten nëpër koalicione, kurse mungesën e numrave në mitingje mundohet ta fshehë në mosbindjen civile.
Këtu ka më shumë mundësi të rrisë numrat fiktivë duke e konsideruar çdo pronar kafeneje që nuk paguan tatimet apo shofer që merr gjoba si militant të mosbindjes.
Megjithatë këto vështirë se e trondisin Ramën. Ndaj ka zgjedhur luftën me karrige në Kuvend. Nuk dihet sa mund të zgjasë kjo, por ndërmjet dy alternativave:
Të përjashtohet nga Kuvendi çdo dhjetë ditë apo të zërë karrigen e Ramës sa herë e lejon garda, asnjëra nuk të çon larg. E para të defaktorizon kurse e dyta të bën gazin e botës.
Ndërkohë shumë deputetë të tij ndjejnë frymën e SPAK-ut në qafë. Dhe meqë shumë prej tyre kanë letra me hile, nuk është çudi që kur jua hipin karrigeve shohin ëndërrat e gomarit që ndërsa po e shqyente ujku thoshte “O Zot bëje ëndërr”. E sa për shqiptarët kanë kohë që presin këtë ditë, t'i shohin në zyrat e SPAK duke i mjelë nga hundët./dritare.net