Historia e korrupsionit të ministrit grek, Tsoxatzopoulos!
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Sot, në Shqipëri dimë pak çfarë ka ndodhur në Rumani, Bullgari, etj, kur u krijua sistemi i ri i drejtësisë.
Unë kam intervistuar disa gazetarë te huaj, kur kjo ndodhte. Më dukej e pamundur që ajo që kishte ndodhur në ato vende të ndodhte këtu.
Po a nuk dukej po aq e pamundur në Shqipërinë e para ‘90 , ajo çfarë ndodhi me rrëzimin e komunizmit, të ndodhte edhe këtu. Ndodhi në mënyra të ndryshme, ama komunizmi ra.
Kështu edhe rrëzimi i mitit të politikanëve të paprekshëm. Do të ndodhë në mënyra të tjera, ama do të bjerë.
Në 2011 isha në Greqi, në Akropol, dhe më bënë përshtypje disa vila, njëra prej tyre e mbyllur. Ishte vila e sekuestruar nga shteti e ish-Ministrit të Mbrojtjes Akis Tsoxatzopoulos.
Një ministër mbrojtjeje, në sytë e të gjithëve si mbrojtësi i demokracisë, ndërkaq ndërtonte vilën ne Akropol. Që nuk e gëzoi dot.
Akis Tsoxatzopoulos,u fut në burg, i sekuestruan vilën, shtëpinë ne qytet, i morën 500 mijë dollarë, gjobe, i futën në burg vajzën 12 vjet, 12 vjet gruan e dytë, 6 vjet gruan e parë, 6 vjet një kushëri. Dhe 20 vjet, vetë për ish-ministrin.
E lejuan të dalë në moshën 77-vjeçare nga burgu, pasi pagoi edhe 200 mijë euro të tjera që nuk i kishte, por miqtë e ndihmuan, u tha.
Ai doli nga burgu, pa lekë, pa shtëpi, i turpëruar, i marrë fund. Kjo sepse tradhtoi besimin e njerëzve që qeverisi, tradhtoi besimin e grekëve. Askush nuk e besoi kur ai u shpreh në media, se qe një kurth politik, një vendim politik. E dënuan dhe e dëbuan nga jeta politike.
Po në Shqipëri si mendoni, do t’i besojnë ata që bërtasin po ma bëjnë politikisht, kur në fakt ata vodhën politikisht?
Dhe nuk po flas vetëm për Berishën. Po flas për të gjithë. E fundit ish-ministrja Olta Xhaçka, që sapo i sekuestruan një goxha tokë në Himarë.
Le të flasë drejtësia për të gjithë. Për ta bërë një vend ku ai që merr përsipër të shërbejë duke u futur në politikë, t’i bëjë mirë llogaritë.
Dhe kjo nuk quhet Republika e prokurorëve, kjo quhet Republika e drejtësisë.
Po, ti duhet të japësh llogari për paratë e tua, sesi i ke bërë.
Ky nuk është rikthim i ‘46. Kjo është ajo që ka ndodhur në vendet që janë zhvilluar pasi janë futur në BE.
Në fillim janë pastruar, pastaj janë zhvilluar. Kjo do të ndodhë dhe në Shqipëri. Dhe nuk është as e pamundur, as e largët./L.F-dritare.net