Investime në SHBA të Kastrati Group apo arratisje parash!
Dritan Hila
Nga Dritan Hila
Prej disa ditësh qarkullon në portale lajmi se grupi “Kastrati Group” ka blerë për shumën 55 milionë dollarë hotelin SLS Brickell në Maiami, Florida.
Në dukje, lajmi i shpërndarë me kujdes nuk ka asgjë të keqe. Fundja në botë ekzistojnë kompani që paratë e fituara diku i investojnë në një vend tjetër. Vetëm se në rastin e disa investitorëve shqiptarë ka një problem moral dhe financiar.
Problemi moral është që nga vendi më i varfër i Evropës, kapitalistët e tij pasi fitojnë këtu me rregulla e pa rregulla, duke paguar taksa e duke iu shmangur, paratë i çojnë diku tjetër.
Ky është edhe një problem moral për qeverinë pasi në kushtet kur ajo propagandon me të madhe Shqipërinë si vend oreksndjellës për investitorët e huaj, i ikin pikërisht kapitalistët e saj. Dhe ky vlen edhe për personazhe të tjera të grupit të oligarkëve që janë favorizuar nga pushtetet e PS-së dhe PD-së dhe krenohen se po investojnë jashtë në sektorë që ky vend ende është i uritur (hoteleria një ndër ta).
Problemi financiar ka lidhje me mënyrën si janë fituar ato para. Nëse “Kastrati Group” do t’i kishte fituar në një treg të hapur, do të ishte e drejta e tij t’i çonte ku të donte ato para. Mirëpo ato para janë fituar në kushte favorizimi nga qeveritë. “Kastrati Group” është i favorizuar në fushën e karburanteve. De fakto, ai është zoti i karburanteve në Shqipëri dhe me shkatërrimin e rafinerisë së Ballshit, është i vetmi që ka rafinerinë e mazutit dhe të markimit të karburanteve. Ai ka koncesionin e aeroportit të vetëm që ka Shqipëria, “Nënë Tereza”, ku vetëm vitin e shkuar pati një fitim prej 31 milionë euro. Prite sa do jetë ky vit.
Ka në bashkëpronësi koncesionin e Portit të Limionit. Ka rishtas në bashkëpronësi koncesionin e Rrugës së Kombit. Të gjitha këto janë praktikisht në kushte monopoli dhe në disa raste të favorizuara nga shteti me një fitim të garantuar. Pa folur pastaj për kompleksin e pallateve tek ish-Sheratoni duke e bërë “Kastrati Group” një nga konglomeratet më të mëdha në vend që fillon nga uji i paketuar e mbaron në gjithë fushat ku aktualisht ka fitim në Shqipëri.
Pozita monopol e tij than konkurrencën dhe tregun. Gjithsesi do të gjente një justifikim të sforcuar nëse kapitali do të riinvestohej në Shqipëri dhe hapte vende pune këtu. Por në momentin kur ky kapital ikën jashtë, praktikisht than limfën vitale të vendit duke e çuar në falimentim. Pa likuiditete nuk ekziston asnjë ekonomi. Ekonomitë e kleringut janë pragu i falimentimit. Dhe nëse nuk ke çfarë bën kur të ikin jashtë paratë e zeza të gjyqtarëve, kryeprokurorëve apo zëvendëskryeministrave edhe kuptohet, por kur fillojnë dhe ikin edhe ato të biznesmenëve, njerëzve të thjeshtë nuk u mbetet veçse të këndojnë:
Haja qenit, pija qenit/
Dhe bjeri karadyzenit./dritare.net