Na ndiqni edhe në

Editorial

Paradoksi që opozita reciton dhe Rama me ëndje e dëgjon!

Paradoksi që opozita reciton dhe Rama me ëndje e dëgjon!

Nga Dritan Hila

Paradoksi i Simpson, është një fenomen statistikor dhe shoqëror që kthen së prapthi leximin e realitetit duke marrë në shqyrtim disa faktorë dhe fuqizuar ata dhe duke injoruar të tjerët.

Është pikërisht ajo çka po ndodh me justifikimin e humbjes së opozitës shqiptare e cila në vend që të bëjë analizë serioze, rri e merret me pandeminë dhe tërmetin si shkaqe që i dhanë Ramës fitoren.

Në fakt është rasti tipik i këtij paradoksi, pasi opozita në vend se të shfrytëzonte këto dy fatkeqësi që do të mjaftonin të rrëzonin çdo qeveri anemike si ajo e Ramës në prag tërmeti, e trajtuan menaxhimin që ai iu bëri atyre si pika e forcës që edhe i theu në zgjedhje.

Në fakt më shumë se menaxhimi i Ramës, ishte squlltësia e opozitës dhe mungesa e abisale e ideve të saj për të demontuar Ramën.

Ndërkohë ende nuk ka një analizë pse ndodhi kjo humbje. Është kollaj të lëshosh punëtorët e propagandës portaleve, rrjeteve dhe televizioneve për të shpallur vjedhjen, por ndërkohë shkaku i humbjes qëndron diku tjetër: pa ide, pa individualitete akademike, pa figura politike karakteriale, me përfaqësues mediatikë që më shumë ngjajnë me tipa të agjitpropit sovjetik që në veshje dhe gjuhën e drunjtë, dhe qershia mbi tortë prania e të fortëve, i dhanë socialistëve fitoren.

Mungesa e analizës dhe nxitimi për të risulmuar Ramën me ata që PS i mundi më mënyrë poshtëruese në qarqe, tregon mungesë fantazie. Kjo është e lexueshme edhe për Ramën i cili i ka lejuar vetes të eksperimentojë me qeverinë e re, çka tregon që ai jo vetëm nuk e ndjen frymën e kundërshtarit që e ndjek nga afër, por as ja kap dylbia. Dhe me këtë lloj oponence askush nuk ka oreks t’i bëjë opozitë Ramës, derisa ajo që paguhet për këtë punë nuk e ka idenë. Aq më pak të bëjnë kauzë me fake kauza që pas fushate as lodhen të fshehin pagatorët e tyre, para të cilëve Rama ngjan akoma një storyteller i pranueshëm. Gjithsesi paradoksin e Simpsonit e kanë gati. Në 2025-ën mund të thonë se nuk mundej dot një njeri që ka fituar tre mandate./dritare.net