Ish-palombari: Mos e ktheni Porto Palermon në atraksion turistik!
Dritare.net
Ish-palombari Aleksandër Mihali rikthehet pas 34 vitesh në tunelin e Porto Palermos, ku punoi për 18 vjet. Në një intervistë për DritareTV, Mihali thotë se falë punës së 40 oficerëve, inxhinierëve, xhenierëve u ndërtua një objekt i rëndësisë së veçantë. Ish-palombari shprehet se ky tunel nuk duhet të kthehet në atraksion turistik, por të përdoret për qëllimin që u ndërtua, të vihet në dispozicion për mbrojtjen e vijës bregdetare, sepse lufta nuk ka mbaruar.
"Kam ardhur në moshën 20 vjeç në Porto Palermo dhe kam punuar deri në moshën 38-vjeçare te ky tunel. Përveç kësaj kam qenë edhe palombar, kam punuar për ndërtimin e Portit të Palermos dhe hapjen e kanalit të tunelit. Ky kanal u hap me ekskavatorë, ne bënim shpërthimet. Kemi bërë shumë sakrifica për të bërë këtë tunel, punonim me tre turne, kishte raste edhe 24 orë sepse duhej bërë puna.
Unë e mbylla këtë punë pas 18 vjetëve kur u transferova në Tiranë. Gjithë rininë time e kam kaluar në Tunelin e Porto Palermos dhe te porti i kalasë. Që në 1990-ën nuk kemi ardhur më në Porto Palermo. Është nostalgji të kthehesh pas kaq shumë vitesh. Po të na linin ne do të rrinim edhe me ditë me radhë këtu për t’u çmallur me punën tonë.” , thotë zoti Mihali ndërsa tregon pse është kaq i rëndësishëm Tuneli i Porto Palermos dhe pse nuk duhet të kthehet në atraksion turistik, por përdoret ushtarakisht.
“Ky është objekt është i rëndësisë së veçantë, për mbrojtjen e territorit të ujërave shqiptare. Sepse në qoftë se kthehen prapë ato silurueset dhe mjete të tjera atëherë vendi ynë ka një pikë që mund të ruajë gjithë bregdetin në rast sulmi. Duke e kthyer në turizëm atëherë fuqia mbrojtëse e bregdetit bie. Me çfarë ta ruash bregdetin se lufta nuk ka mbaruar? Pse t’i kthejmë në turizëm objektet e rëndësisë së veçantë që shërbejnë për luftë? Ka vende plot Shqipëria për turizëm, nuk ka nevojë të kthehet Porto Palermo. Ky tunel duhet të mbahet për qëllimin për të cilin u ndërtua. Qeveria duhet të bëjë përpjekje për të zëvendësuar mjetet që u shkatërruan në 1990-ën sepse nuk u bë kot ky tunel që kushtoi me miliona. U bë për të mbrojtur bregdetin shqiptar.”, u shpreh zoti Mihali./K.C/dritare.net