Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Libri i Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Nga Lorena Fjolla

Një libër me historitë reale të 10 grave, që i kanë mbijetuar dhunës në familje, është libri që ka sjellë së fundmi Elga Mitre, së bashku me ilustrime artistike për të gjitha historitë. Libri, i disponueshëm në formatin elektronik, titullohet "10 gra, 10 rrëfime, histori që sfidojnë botën".

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Ajo kaloi disa muaj duke kërkuar e gjetur historitë të përjetuara nga gratë, në çdo cep të vendit. Jo se ka pak, ka shumë të tilla, por jo të gjitha e rrëfejnë. Në një intervistë për Dritare.net, ajo tregon si lindi ideja për të shkruar këtë libër, ku shtysa kryesore qe ngjarja e tmerrshme e bërë publike në qershor, ku një e mitur në Kamzë, abuzohej nga roja i shkollës.

Ka shumë të veçanta, në librin me rrëfime, ndër to, është ilustrimi i çdo historie me një pikturë. Elgës, iu deshën 40 vjet që të zbulonte që kishte talent në pikturë. Dhe tani, nuk rresht së pikturuari. Nëse në çdo fjalë në historitë e botuara, janë ndjesitë e secilës grua që i ka përjetuar, në pikturat krahas tyre, janë emocionet e autores dhe mënyra se si ajo ka përfytyruar secilën prej tyre.

Libri vjen në formatin elektronik dhe falas. Kjo është një risi, dhe Elga tregon se kjo zgjedhje ka ardhur për shkak se së fundmi, shumica e njerëzve lexojnë më pak materiale në print, duke preferuar më shumë atë elektronik.

Me një parathënie të Ben Andonit, libri kërkon të sfidojë perceptimin se dhuna në familje është diçka që u ndodh vetëm llojeve të caktuara të njerëzve. Ai demonstron forma të ndryshme që mund të marrë dhuna në familje dhe që mund t’i ndodhë çdokujt, nga çfarëdo sfondi apo rruge të jetës.

Dritare.net: Si u frymëzuat për të shkruar këtë libër me rrëfime për gratë?

Elga Mitre: Në fillim të qershorit u bë publik dhe mori shumë vëmendje rasti i një vajze të mitur që ishte përdhunuar dhe dhunohej sistematikisht nga roja i shkollës. Ndërsa më 4 qershor pati një marshim, protestë për të ngritur zërin dhe ndërgjegjësimin për çdo vajzë dhe grua që dhunohet në Shqipëri. Unë dola në atë marshim protestë që ka qenë një nga më të bukurat dhe madhështoret. Aty pashë mijëra njerëz që kishin dalë në shesh për një kauzë aq të rëndësishme. Ajo që më emocionoi dhe ngacmoi edhe më shumë ishte vajza 16-vjeçare që kishte patur idenë për të thirrur atë marshim. Dhe sa fuqishëm mediat sociale amplifikuan qëllimin dhe i dhanë zë mbrojtjes së të drejtave të grave, vajzave, fëmijëve! Ishte një tregues se kur bëhemi të gjithë bashkë rreth një kauze, mund të sjellim ndryshim.

4 qershori dhe ajo protestë ka qenë stimuli kryesor që më frymëzoi të ndërmerrja nismën për të bërë bashkë histori vajzash dhe grash. Qëllimi im nuk ishte të sillja histori viktimash. Por histori që përmes të vërtetave shpesh të hidhura, përmes dhimbjes por edhe krenarisë e kurajës, sjellin modele grash dhe vajzash që ia kanë dalë mbanë. E njëkohësisht edhe japin mesazhin se sa e rëndësishme është që të flasim për dhunën, për të drejtat, për mundësitë, si dhe të japim mesazhin tek ato vajza dhe gra që janë viktima dhe vuajnë në heshtje, se ato nuk janë vetëm.

Dritare.net: Është një libër bazuar në histori të vërteta! Si i keni bërë bashkë këto histori? Janë të treguara për ju apo të mbledhura bazuar edhe në rrëfimet jo domosdoshmërish të atyre që i kanë përjetuar?

Elga Mitre: Po, të gjitha historitë janë të vërteta. Unë postova në faqen time në Facebook thirrjen për çdo vajzë apo grua që dëshironte të ndante historinë e saj. Brenda pak javësh më kanë ardhur rreth 18 histori. Disa nga vajzat/gratë që kanë rrëfyer historitë i njihja personalisht. Disa të tjera nuk i njihja, ndërsa disa të tjera nuk më kontaktuan direkt por nëpërmjet të njohurve të tyre. Një nga veprimet e para që kam bërë është t'ju kërkoja leje për ta redaktuar e më pas për ta botuar historinë, por më e rëndësishmja ishte ruajtja e anonimatit. Dhe për mua ky element ishte dhe më i rëndësishmi.

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Shumica e historive janë rrëfime të eksperiencave personale. Ka disa prej tyre që janë histori të treguara nga një vajze apo grua për një grua tjetër si përshembull "Vendimi apo Nesër".

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Për mua e rëndësishme është mesazhi që përcjellin këto histori. Në sa prej tyre shumë gra dhe vajza që i lexojnë gjejnë copëza të jetës apo eksperiencave të tyre.

Dritare.net: Njihni ju personalisht ndonjërën prej tyre? Si është jeta e asaj?

Elga Mitre: Shumicën e atyre që më besuan historitë e tyre nuk i kam takuar ndonjëherë. Ose më mirë të them nuk i kam takuar akoma. Një pjesë i kam pjesë të miqve në Facebook ose i kam takuar diku, dikur. Unë do doja që secila prej tyre ta bëjë publike autorësinë e rrëfimit atëherë kur të ndjehet gati. Deri atëherë unë do ta ruaj me fanatizëm premtimin e anonimatit.

Por ka edhe nga ato që janë gra aktive në shoqëri, në media. Gra që të frymëzojnë me modelin e tyre, me forcën dhe optimizmin. Unë kam qenë me fat që i kam njohur.

Dritare.net: Janë rrëfime të ndryshme, ku secila bart historinë e saj të veçantë, por bëhen bashkë të gjitha në një pikë. Ju, cila prej tyre ju ka rrëqethur më së shumti?

Elga Mitre: Sa herë që shikoja një email të ri apo mesazh në postën elektronike zemra më rrihte fort. Sepse kuptoja sa kurajo duhet që ta shkruash një histori të dhimbshme, ta rrëfesh dhe për më tepër ta ndash me dikë që nuk e njeh.

Jo vetëm 10 Historitë e përzgjedhura në ketë cikël, por të 18 Historitë që më dërguan janë unike në llojin e vet. Unë i kam lexuar e rilexuar me qindra herë.

Shpesh më është dashur të futem në lëkurën e tyre dhe t'i redaktoj ose rishkruaj historitë. Nuk mund të veçoj asnjërën prej tyre. I kam përjetuar të gjitha dhe me kanë ngacmuar emocionalisht aq shumë.

Dritare.net: Keni vendosur ta sillni librin vetëm në formatin elektronik, pse kjo zgjedhje?

Elga Mitre: Ka një dimension shumë të veçantë gjithë kjo sipërmarrje e imja që u materializua me librin në formatin elektronik. Çdo aspekt është realizuar vullnetarisht. Unë isha ideatorja por janë shumë miq të tjerë që nuk u kursyen me ndihmën e tyre.

4 mikesha që më ndihmuan të përzgjidhnim 10 Historitë (nga 18) - që ka qenë edhe një nga proceset më të vështira. Parathënia e shkruar nga Ben Andoni si një nga konturet më të bukura të këtij libri. Pastaj redaktimi - një punë voluminoze dhe intensive. Marsela, redaktorja e bëri ditën natë dhe u kujdes për çdo detaj për ta sjellë në një shqipe sa më të bukur. Bashkëshorti që përpunoi dhe përgatiti çdo detaj teknik. Një kontribut që tregon se ka shumë njerëz bujarë dhe me vlera.

Libri vjen në formatin elektronik dhe falas për disa arsye: kohët e fundit shumë njerëz kanë kaluar nga leximi në print tek ai elektronik. Është i kollajtë, shkarkohet shpejt, nuk ke nevojë të shkosh ta blesh. Shpërndahet më shpejt dhe nuk ka kosto. Qëllimi im nuk ishte të shkruaja libër, por të krijoja një ngacmim që njerëzit të fillojnë të flasin, të reflektojnë dhe ndoshta edhe të mendojnë ndryshe.

Unë jam duke punuar sërish me dy miq të mirë që po më ndihmojnë vullnetarisht për t'i sjellë Historitë në variantin audio. Kështu rrëfimet do të marrin një dimension të ri dhe do të sjellin tjetër emocion. Kemi bërë një provë të parë, e cila është pëlqyer shumë.

Teksa shoh një reagim shumë pozitiv të njerëzve për librin, po planifikoj edhe disa hapa të tjerë vijues. Sikurse e kam përmendur në hyrje të librit, për mua ky është një stacion por ende jo një destinacion! Ju jam shumë mirënjohëse për vëmendjen dhe mundësinë për ta përcjellë këtë libër te lexuesit. Faleminderit!

Dritare.net: Ka shumë të veçanta ky libër, ndër to është ilustrimi i çdo historie me një pikturë tuajën! A mund të na thoni si ju lindi kjo ide?

Elga Mitre: U deshën 40 vjet që unë të kuptoja dhe zbuloja që kisha talent në pikturë. E zbulova fare rastësisht një vit më parë. E prej një viti vazhdoj të pikturoj duke eksperimentuar stile te ndryshme. Është si një lloj terapie për mua.

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Një mënyrë për të shprehur emocionet dhe mendimet. Kjo ishte dhe arsyeja pse vendosa t'i kushtoj një pikture çdonjërës prej tyre. Nëse në rrëfime gjen emocionet e atyre që janë personazhet kryesore dhe në qendër të historisë, në piktura gjen emocionet e mia dhe mënyrën si unë e kam përfytyruar dhe përjetuar çdonjërën prej tyre.

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Unë shpresoj shumë që ju të bëni udhëtimin e këtyre historive pa gjykuar, pa drejtuar gishtin, pa menduar se sa përqind e të vërtetave janë brenda, pa vendosur kufij për mendjen dhe shpirtin tuaj.

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Shpresoj ta shihni secilën histori me sytë e mendjes dhe të shpirtit. Ndoshta një histori, një personazh, një pjesë e tregimit do t'ju duket e njohur. Mund të të motivojë të thellohesh më shumë në kujtimet e tua.

Libri i  Elgës/ Tregime për gratë që njoha

Elga tregon më tej se ky është cikli i parë i Historive, ndërsa ajo ka në plan të vijojë të mbledhë edhe më tej, ndaj nëse dikush ka një histori për të rrëfyer, mund të bëhet pjesë e ciklit të saj të dytë të rrëfimeve./dritare.net