Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Në zemër të Beratit prodhohet “ari i lëngshëm” shqiptar që po mahnit botën

Në zemër të Beratit prodhohet “ari i

Në një nga zonat më të paprekura të Shqipërisë, mes gjelbërimit të Zhapokikës dhe Zhitomit pranë Beratit, po prodhohet një nga produktet më të rralla natyrore të vendit, mjalti i maresë, i njohur tashmë në tregjet ndërkombëtare si një ndër mjaltrat më të fuqishëm shërues në botë.

Ky produkt unik vjen nga ferma e bletërritësit Aleks Shehu, i cili zotëron mbi 100 koshere në Zhapokikë. Sipas tij, bletët qëndrojnë për rreth dy muaj në Zhitom, nga fundi i tetorit deri në dhjetor, për të mbledhur nektarin nga bima e maresë, një proces i vështirë, që e bën këtë mjaltë edhe më të rrallë.

“Është mjaltë i vjeshtës dhe dimrit, shumë i vështirë për t’u mbledhur, prandaj është kaq i veçantë,” – thotë Shehu për DritareTV.

Fillimisht i panjohur në treg, mjalti i maresë sot është kthyer në produkt luksi, me kërkesë që tejkalon disa herë prodhimin. Ndërsa fermeri arrin të prodhojë vetëm 300 deri në 400 kilogramë në vit, kërkesa kalon mbi 1000 kilogramë. Çmimi i tij në tregun vendas varion nga 20 deri në 25 euro për kilogram, ndërsa në Itali arrin deri në 100 euro, ku blerësit kryesorë janë shqiptarët e diasporës.

Por çfarë e bën këtë mjaltë kaq të veçantë?

Sipas studimeve të kryera në Spanjë dhe Kroaci, mjalti i maresë ka përmbajtje të lartë antioksiduesish dhe substancash antiinflamatore, të cilat ndihmojnë në frenimin e qelizave kancerogjene në zorrën e trashë. Për këtë arsye, ai cilësohet si një nga “ilaçet më të fuqishme natyrore” kundër kancerit.

Ky mjaltë nuk është vetëm një produkt i natyrës, por edhe një pasuri kombëtare shqiptare, që mund të kthehet në ambasador të vërtetë të vendit në botë – simbol i shëndetit, pastërtisë dhe natyrës së virgjër shqiptare./dritare.net