Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Tropoja, kryeqyteti i gështenjave ku vjeshta kthehet në festë familjare!

Tropoja, kryeqyteti i gështenjave ku vjeshta kthehet në festë

Në shpatet e gjelbërta të Alpeve Shqiptare, me nisjen e vjeshtës, në Tropojë ndihet aroma e gështenjave të pjekura. Për banorët vendas, ky nuk është vetëm një ushqim sezonal, por një ritual që bashkon familjet dhe kujtimet e brezave. Në çdo fshat të Tropojës, nga Bujani në Markaj, mbledhja e gështenjave është një ngjarje e veçantë.

Familjet nisen herët në mëngjes drejt pyjeve, me shporta në duar dhe me gëzim në fytyrë. Ndërsa fëmijët kërkojnë gështenjat më të mëdha, të moshuarit tregojnë histori nga koha kur “gështenja ishte buka e shtëpisë”.

Me rreth 2.800 hektarë masive gështenjash, Tropoja mban titullin e padiskutueshëm të “kryeqytetit të gështenjës në Ballkan”. Të moçmit e kanë quajtur “druri i bekuar” apo “buka në rrem”, sepse dikur ishte një nga produktet kryesore ushqimore dhe burim i rëndësishëm të ardhurash për familjet e zonës.

Gështenjat janë të pasura me vitamina B dhe C, minerale si hekur, magnez dhe kalium, dhe përmbajnë më pak yndyrë se arrat apo lajthitë. Për këtë arsye, në shumë zona quhet “fruti i shëndetit të dimrit”. Gështenjat tropojane eksportohen në disa vende të Europës, kryesisht në Itali dhe Gjermani, për shkak të cilësisë dhe përmbajtjes së lartë të sheqernave natyrale, që i bën shumë të përshtatshme për ëmbëlsira dhe përpunim.

Përveç vlerës ushqyese dhe ekonomike, gështenja tropojane është pjesë e identitetit kulturor të banorëve, që prej shekujsh e kanë ruajtur dhe përcjellë këtë traditë. Me aromën e saj karakteristike dhe shijen unike, ajo mbetet simbol i bujarisë dhe mikpritjes së krahinës.

Megjithatë, sipas fermerëve dhe ekspertëve të zonës, prodhimi ka rënë me 50-60%, për shkak të sëmundjeve që kanë prekur pemët, mungesës së kujdesit teknik dhe ndryshimeve klimatike. Kjo rënie ka ndikuar jo vetëm në ekonominë familjare të banorëve, por edhe në sasinë e gështenjave që shkojnë për eksport, një nga burimet kryesore të të ardhurave në Tropojë./dritare.net