1000 lopë dhe një ëndërr shqiptare. Historia e Besi Farmers në Kosovë!
Dritare.net

Prej javësh Dritare TV po udhëton nëpër Shqipëri dhe Kosovë për të treguar historitë e njerëzve që mbajnë gjallë bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare. Sepse jeta nuk nis në supermarket, por në fermë në ara, në stalla dhe te duart e palodhura të fermerëve.
Sot ndalemi në Istog, ku Ferma Besi është kthyer në një simbol të punës, këmbënguljes dhe suksesit.

Historia e saj nis me një sfidë të madhe: pas luftës së vitit 1999, familja Haskaj u detyrua të largohej nga Kosova dhe humbi pothuajse gjithçka. Por me rikthimin në vendlindje, ata nisën nga e para, duke rindërtuar fermën hap pas hapi.
Sot, tre breza të familjes punojnë së bashku dhe prodhojnë rreth 330 mijë litra qumësht në vit.

Me teknologji moderne, kujdes të veçantë për ushqimin e kafshëve dhe investime të vazhdueshme, ferma është shndërruar në një model të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Më frymëzuesja është prania e brezit të ri. Djali 19-vjeçar i familjes, Arjanit Haskaj, student i inxhinierisë mekanike, ka zgjedhur të qëndrojë dhe të investojë të ardhmen e tij në tokën e vet.

Ai menaxhon makineritë bujqësore dhe dhjetëra hektarë të mbjellë, duke dëshmuar se bujqësia moderne mund të jetë një profesion fitimprurës dhe me perspektivë.

Ferma Besi nuk është thjesht një biznes. Është dëshmia se pasioni, puna dhe besimi te vendi yt mund të ndërtojnë sukses edhe pas sfidave më të mëdha.