
Adriatik Doçi: Arben Ahmetaj, pronari real i inceneratorëve. Ja skema që përdori!
Dritare.net
Gazetari Adriatik Doçi i ftuar në emisionin Java në Dritare TV nga Lorena Fjolla, foli për kallëzimin e bërë në SPAK për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, dhe dy prokurorë Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho.
Doçi foli për provat që ai kishte paraqitur në SPAK, sipas të cilit e implikojnë Ahmetajn, në çështjen e inceneratorëve. “Pati një vendim të SPAK për mbylljen e çështjes së inceneratorëve, konkretisht për atë të Fierit dhe Elbasanit.
Para se të firmosej mbyllja e dosjes dhe referimi në Gjykatë të kësaj dosjeje, për ndëshkimin e personave të identifikuar nga SPAK si përgjegjës për këtë aferë, mua më ranë në dorë disa prova, që mes emrave që ishin dërguar në gjykatë si të implikuar, kishte edhe emra të tjerë zyrtarë të nivelit të lartë, që ishin lënë jashtë hetimeve qëllimisht nga dy prokurorët e çështjes, Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho.
Konkretisht bëhej fjalë për Arben Ahmetajn.
Çfarë ka ndodhur konkretisht?
Në prill të 2014 Arben Ahmetaj ka firmosur dhënien me koncesion të çështjes së inceneratorëve, ku përfitues do të ishte një kompani që ka si pronar Klodian Zoto. Nga viti 2013 deri në 2017, Zoto i bën pagesa Arben Ahmetajt, duke i mbuluar shpenzime në hotele me 5 yje nëpër Europë. Po flasim për hotele ku shkon deri në 8 mijë euro nata. Këtu kemi të bëjmë me pagesa të dyshuara si korruptive që Zoto i bën Ahmetajt, në këmbim të angazhimit të këtij të fundit në procedurën e koncesionit. Provat që i kam siguruar janë gjetur te kompjuteri i Klodian Zotos.
Në opinionin tim, Arben Ahmetaj është pronari real i inceneratorëve por ka dy miq të tij për t’u kamufluar dhe për t’u dhënë koncesionin”, u shpreh Doçi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















