Na ndiqni edhe në

Java në Dritare

Dritan Goxhaj: Albin Kurti lojëra me serbët, për interesa politike!

Dritan Goxhaj: Albin Kurti lojëra me serbët, për interesa

Dritan Goxhaj ish-anëtari i UÇK-së i ftuar në Java në Dritare nga Lorena Fjolla, foli për tensionet në veri të Kosovës. Zoti Goxhaj, u shpreh se qeveria e Kosovës po bën veprime të papjekura ndërsa akuzoi kryeministrin Kurti se po luan teatër, për interesa politikë.

“Qeveria e Kosovës po bën veprime të papjekura. E them këtë sepse qeveria e Kosovës, kërkoi të implementonte marrëveshjen e 2013 që ne e njohim si marrëveshjen e targave, por është marrëveshja për lëvizjen e lirë. Kjo marrëveshje në gjykimin tim nuk është e drejtë nga ana e qeverisë Kurti e cila vjen nga lëvizja Vetëvendosje. Qeveria Kurti e nisi implementimin e kësaj marrëveshjeje me sloganin për të vendosur sovranitetin, në të gjithë territorin e Kosovës. Vendosja e sovranitetit është një veprim fisnik në vetvete.

Kjo marrëveshje ka dy pika kryesore. Njëra prej tyre diskriminon qytetarët e Kosovës dhe pika e dytë cenon sovranitetin e Kosovës. Pika e parë që diskriminon qytetarët e Kosovës thotë që shtetasit serbe që do pranojnë të regjistrojnë targat e tyre me targa të Kosovës, do t’i marrin falas nga qeveria. Ndërkohë që të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës, paguajnë. Ky është një privilegj për shtetasit serbë në Kosovë.

Pika e dytë thotë që nëse një qytetar serb në Kosovë e ka paguar doganën e makinës në Serbi, nuk do ta paguajë më në Kosovë. Kjo cenon direkt sovranitetin. Këtu unë pyes, pse qeveria e Kosovës duhet të këmbëngulë për një marrëveshje që cenon sovranitetin e vendit?

Ndaj unë them që qeveria e Kosovës ose po tallet me veten, ose me shtetasit e saj, ose po luan teatër. Për mua po luan teatër, sepse Albin Kurti e di mirë marrëveshjen. Kjo pasi kur është nënshkruar marrëveshja, Kurti e ka kundërshtuar. Unë do të isha me Kurtin nëse ai do të thoshte që këtë marrëveshje do ta rishikojmë.
Pra Kurti ose nuk di të drejtojë dhe mendon se shteti është revolucion, ose po luan lojën e dikujt për interesa politike dhe mbajtje pushteti”, u shpreh Goxhaj në Dritare TV./L.F-dritare.net