
Rea Nepravishta: Burra kuptojeni, nderi nuk qëndron mes këmbëve të grave!
Dritare.net
Aktivistja Rea Nepravishta ishte e ftuar në emisionin Java në Dritare TV, për të folur për mënyrat se si trajtohen gratë në shoqërinë tonë. Nepravishta tha se shoqëria shqiptare është ende patriarkale, çka gratë dhe vajzat i bën të nënshtruara.
“Ne jetojmë në një shoqëri që për fatin e vajzës vendos vëllai, babai, bashkëshorti, gjithkush përveç vajzës”, u shpreh Nepravishta. Në lidhje me ngjarjen në Librazhd aktivistja tha:
“Ajo që të bën përshtypje nga kjo ngjarje është se trupi i gruas për disa burra, mban dhe nderin e tyre. Kjo është arkaike. Nuk ka pse familja, babai, vëllai, nëna apo edhe të tjerë, të ndihen të turpëruar.
Nëse vajza ka ndonjë përgjegjësi, është vetëm barra emocionale përkundrejt burrit të saj. Meshkujt duhet të kuptojnë, se nderi i burrit nuk është në mes të këmbëve të gruas. Nderi është sa i njerëzishëm je, sa karakter ke, sa respekton familjen, sa vlera ke si njeri, jo te këmbët e gruas që ke në krah”, u shpreh Nepravishta në Dritare TV./L.F-dritare.net

















