Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Arrestohet një i ri në Kosovë, akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist

Arrestohet një i ri në Kosovë, akuzohet për pjesëmarrje

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të enjten akuzë kundër një personi nën dyshimet për veprat penale, “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, “lehtësim të kryerjes së terrorizmit” dhe “rekrutim për terrorizëm”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i pandehuri A.M. “me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë”.

Sipas akuzës ai “në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi nga zonat e konfliktit në Siri, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka ofruar fonde për qytetarët nga Kosova, të cilët janë interesuar për të udhëtuar për në Siri, që t’i bashkëngjiten kësaj organizate. Gjithashtu, përmes ligjëratave të cilat i ka mbajtur në Kosovë, publikisht u ka bërë thirrje personave tjerë që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS që vepronte në Siri dhe Irak”.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej.

Autoritetet në Kosovës besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë./Dritare.net