Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

BE liberalizon vizat për Kosovën. Ja kur hyn në fuqi vendimi!

BE liberalizon vizat për Kosovën. Ja kur hyn në fuqi vendimi!

Bashkimi Evropian ka rritur në konsensus që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Radio Evropa e Lirë mëson se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës - njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke - e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së - kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.

Sipas propozimit të miratuar të martën, "hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024".

Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën.

Liberalizimi i vizave do t'u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane./REL/Xh.Xh/dritare.net