Gazeta kosovare: Toka mes askundit që na largoi Sunny Hillin e na la pa Duan!
Dritare.net
Sunny Hill i takon Tiranës tashmw, pasi Prishtina doli të jetë problem politik e burokratik për teknikalitete të çuditshme, të cilat të rinjve që duan të bëjnë qejf, nuk u intereson fort. Në tërë këtë grumbull informacionesh për ata vetëm një detaj i plotfuqishëm e i pandryshueshëm spikatë – festivali nuk do të mbahet në Kosovë.
“Tepër palidhje, shumë kisha qejf me shku. Sa njeri i ka ble biletat kot. Në Tiranë nuk e kom njet me shku se duhet me pagu banim e ushqim ekstra. Ni festival e patëm, edhe ata e çunë në Tiranë,” - thotë Engjelli i cili mezi priste të vinte gushti e të shihte nga afër performancën e artistit të tij të preferuar, Skeptës.
Pas tërë asaj rrëmuje e skandali të krijuar i cili u duk se “piku nga qielli”, ishte koha të shihnim nga afër 17 hektarët për të cilat u shkaktua ky tërmet politiko/kulturor. Një grumbull i vogël njerëzish dukej se e dinin vendin e saktë të këtyre 17 hektarëve, derisa u desh të bënim një mori telefonatash nëpër dikastere e zyre të ndryshme komunale për të marrë një lokacion definitiv. Kaq shumë bujë, për një tokë të cilën shumë pak persona zyrtarë realisht e dinin se ku është.
Kur mbërritëm, çka të shihje. Ishte një tokë e zakonshme si gjithë të tjerat – jo se prisnim të ishte tokë e pazakontë, ose ndryshe nga të tjerat – në një pjesë që të jepte përshtypjen se ishte “mesi i askundit”. Me autostradën të vendosur poshtë, 17 hektarët e Bërnicës së Poshtme dukeshin territor djerrë në një zonë industriale, veç një pjese që kishte të mbjellur grurë e që pritej të korrej në dhjetë ditëshin e parë të korrikut. Por ajo tokë do të bënte lajm botëror nga fillimi i gushtit, pasi në të do të shkelnin artistë si Diplo e Skepta, të cilët tash do të shfaqen në Liqenin Artificial të Tiranës, pa dijeni për ekzistencën e 17 hektarëve të Bërnicës së Poshtme.
“Në ditën e 15 na kanë kthy që duhet me pasë plotësim lënde, a realisht krejt kanë qenë në lëndë. Po e kanë pasë veç me fitu në kohë. Nëse nuk na kish kthy neve kurrgjo në ditën e 15, na domethënë në ditën e 16 kemi mujtë me vazhdu punimet pasi e kish fitu plotfuqishmërinë, sipas ligjit”, u shpreh zyrtari komunal që deshi të mbetej anonim i cili u shfaq në lokacion ku po qëndronim për të na njoftuar me territorin, duke iu referuar shkresës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila vendosi të thyente zemrën e shumë personave si Engjelli më lart, duke zvarritur procesin burokratik.
“Kjo është tokë industriale, kjo nuk është tokë bujqësore se këqyre ku osht Obiliqi”, shtoi tutje ai, derisa drejtonte gishtin nga tymtarët të cilët mund t’i shihje me sy direkt duke ndotur ambientin me tym pa rreshtur.
Por Sunny Hilli kishte menduar edhe për këtë problem, sipas zyrtarit në fjalë. Sipas projektit, në zonën 17 hektarëshe ishin paraparë të mbillen mbi 20 mijë drunj, të vendoseshin ulëse përreth, të krijohej një park i ngjashëm me atë të Gërmisë, i cili do ta kishte edhe një liqe të vogël.
“Plani ka qenë me u bo qendër rekreacioni. Çdo vjet kanë pasë me investu kah 30% (për tri vitet e ardhshme). Kanë qenë të planifikume investime marramendëse”, thotë ai.
Mirëpo, këta 17 hektarë nuk do të kenë kurrfarë rëndësie dhe do të kthehen në funksionin origjinal të deritanishëm të të qenit thjesht një tokë në mes të askundit, e cila nuk pritet të ketë ndonjë impakt në të ardhmen e afërt e as të largët./nacionale