
Kurti: Raportet me SHBA-në shumë të mira, në Bruksel do të shkoja për nënshkrimin e marrëveshjes
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, nuk i është përmendur ftesa e një takimi të mundshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kurti ka thënë se në Bruksel do të shkonte për të nënshkruar marrëveshjen e dakorduar pothuajse një vit më parë. Në Gjilan, ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike, Kurti ka insistuar se raportet me SHBA-në janë shumë të mira, edhe pse nuk pajtohen për të gjitha çështjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mira, edhe pasi ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ditë më parë, deklaroi se çështja e dinarit ka dëmtuar marrëdhëniet me Qeverinë.
Të hënën, pasi mori pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike për dyer e dritare në Gjilan, Kurti tha se nuk pajtohen çdo herë me SHBA-në dhe si qeveri kanë për detyrë të mbështesin rregulloren e BQK-së.
“Raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë tash ne jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë në çdo vend për gjithçka mirëpo në këtë aspekt kemi një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit ka për detyrë ta mbështesë andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndrojë kësaj fjale”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti duke folur për procesin e dialogut, ka thënë se në diskutimin që në Munih të Gjermanisë ka zhvilluar me përfaqësuesin e Lartë të VBE-së, Josep Borrell, nuk i është përmendur një takim i nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Paraprakisht, Borrell ka thënë se do të tentojë të aranzhoj një takim mes Vuçiqit e Kurtit, derisa presidenti i Serbisë ka deklaruar se ftesën e pret këtë javë.
Sipas Kurtit, në Bruksel për t`u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, shkon për nënshkrim të marrëveshjes, të dakorduar një vit më parë.
“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe u përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e rundi i bisedimeve nuk mund të thuhet se ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëjë për BE-në por e bëjë edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua këto do të normalizoheshin qysh vitin e kaluar por nëse nuk është bërë në shkurtin e marsin e vitit 2023 e mund të bëhet në shkurtin e marsit e vitit 2024 pse jo”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas kryeministrit të Kosovës, me nënshkrimin e marrëveshjes të arritur në shkurt e aneksit të saj në mars të vitit të shkuar, do të anuloheshin të gjitha shkeljet që ka bërë Serbia.
“Nëse më vjen ajo ftesë natyrisht se do ta shqyrtojmë dhe unë në përgjithësi jam pozitiv por e ritheksoj që shkeljet e deritanishme mosrespektimet e marrëveshjeve që i ka bërë Serbia e të cilat kulmuan me letrën e kryeministres Bërnabiq ku ajo praktikisht u tërhoq nga marrëveshja praktikisht ato anulohen me nënshkrim. Në komentin që Serbia do ta nënshkruante marrëveshjen të gjitha ato shkelje të mëhershme anulohen dhe krijohet siguria për rrugën përpara”.
Zbatimin e marrëveshjes të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, e pret Gjermania. Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, i ka thënë Deustche Welles, se i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, është duke punuar në këtë drejtim.
“Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për DW./KohaDitore

















