
Kuvendi seancë të jashtëzakonshme kundër referendumit të Serbisë në Kosovë
Dritare.net
Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet rezoluta që kundërshton që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese. Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e këtij referendumi në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Qeveria ka thënë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.
Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do të kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.
Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës./L.F-dritare.net

















