Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Lajçak: Bisedimet për dinarin serb vazhdojnë, shumë pyetje mbeten pa përgjigje!

Lajçak: Bisedimet për dinarin serb vazhdojnë, shumë pyetje

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se bisedimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ishin "një hap i parë i rëndësishëm", por se "shumë pyetje politike" mbeten ende pa përgjigje. Me ndërmjetësimin e tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan të martën në Bruksel.

"Takimet shtesë do të jenë të nevojshme", tha Lajçak në një postim në platformën X.

Ai nuk sqaroi nëse palët kanë pasur ndonjë dakordim.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

"Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim", tha Ismaili për Radion Evropa e Lirë.

Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

"Pasojat e një vendimi të tillë të njëanshëm [të Kosovës] janë politike dhe ndikojnë në mbijetesën e popullit serb në Kosovë", tha ai pas takimit.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Ajo nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë. Diplomatët perëndimorë i kërkuan Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë zbatimin e saj, për t'u dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. Por, kryeministri Albin Kurti këmbënguli se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro./rel