
Osmani: Kërkojmë garanci ndërkombëtare për Asociacionin!
Dritare.net

Në një intervistë për Zërin e Amerikës presidentja e Kosovës Vjosa Osmani thotë se vendi i saj kërkon garanci nga parnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit. Zonja Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zonja Osmani foli për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte siç tha, më shumë paqe e siguri në rajon. Ajo shtoi se Kosova nuk po kërkon t'i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha "zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe deyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës".
Presidentja Osmani i bëri komentet ndërsa ndodhet në Uashington me ftesë të Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken për të marrë pjesë në takime që mbahen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s. Të martën Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.
Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zonja Presidente Osmani gjatë këtyre ditëve në Uashington ju keni patur takime me zyrtarë amerikanë, a mund të ndani me ne çfarë keni diskutuar?
Vjosa Osmani: Në këtë 75 vjetor të NATO-s që padyshim është një ngjarje historike për të gjitha shtetet anëtare dhe të gjitha shtetet që kanë përfituar sa i përket paqes dhe sigurisë nga kjo aleancë ushtarake dhe politike, për Kosovën është dyfish përvjetor i veçantë për shkak se është edhe 25 vjetori, përvjetor vërtet historik i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç e dini, përgjatë këtyre muajve, Kosova me një sërë aktivitetesh në vend dhe nëpërmjet ambasadave tona, kemi shënuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik të trupave të NATO-s në mënyrë që ne të arrijmë lirinë tonë dhe pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot. Prandaj ka qenë po aq më rëndësi, që për herë të parë në histori, Kosova të ftohet në aktivitete në kuadër të Samitit të NATO-s dhe jemi shumë mirënjohës për punën e bërë edhe nga zyra e Sekretarit Blinken, por edhe në përgjithësi e gjithë qeveria amerikane që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes të këtyre të arritjeve sidomos sa i përket agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Para se të fillojë pritja lidhur me këtë temë, që ishte edhe hapja e takimit të NATO-s, në fakt ishte aktiviteti i parë i takimit i organizuar në bashkëpunim me NATO-n, unë kisha një bisedë me Sekretarin Blinken dhe natyrisht diskutuam për arritjet e Kosovës. Pata mundësinë që t'i shpreh falenderimet e popullit të Kosovës për gjithë çfarë ka bërë Amerika në këto vite, por në të njëjten kohë edhe për sfidat që i kemi përpara të cilat patjetër duhet t'i zgjidhim bashkërisht. Mbrëmë kishim një takim me një numër të madh senatorësh dhe ligjvënësish që përgjatë viteve e kanë përkrahur Kosovën, por që janë edhe emra kyç do të thoja të të dyja partive sepse përkrahja për Kosovën gjithnjë ka qenë dypartiake, që do të kenë rol të rëndësishëm në përcaktimin e linjave, politikave edhe në të ardhmen. Përveç falenderimeve për kontributin e tyre natyrisht diskutuam edhe për rrugën përpara. Ndërkaq po vazhdojmë takimet edhe me udhëheqës të shteteve anëtare (të NATO-s). Ju e dini që Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s, nuk është as pjesë e partneritetit për paqe, megjithatë siç e përmenda është një arritje e jashtëzakonshme që Kosova është përfshirë në kuadër të këtij samite dhe në të njëjtën kohë në takimet me udhëheqësit veç e veç po shtyjmë para atë që është e pashmangshme që t'i hapen dyert edhe Kosovës jo vetëm për shkak të aspiratës së popullit të Kosovës, ku mbi 96 për qind janë pro anëtarësimit në NATO, por për shkak se Kosova e meriton. Kemi një ushtri e cila është ndërtuar në përputhje të plotë me standardet e NATO-s. Jemi në një linjë me politikat e NATO-s edhe në aspekt bilateral, qoftë me ushtrinë amerikane apo atë britanike, ushtria jonë po kontribuon në misione të paqes dhe të sigurisë nëpër botë. Pra, Kosova edhe pse është shtet i vogël, ka çfarë të ofrojë në një organizatë të tillë dhe jemi duke bërë hapa të rëndësishëm drejtë anëtarësimit. Mbështetje ndërkombëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion, por si projekt i cili përfundimisht e mbyllë këtë temë dhe sjell më shumë paqe e siguri në rajon.
Zëri i Amerikës: Megjithatë zonja Presidente, ju thatë që Serbia nuk po plotëson pjesën e saj të marrëveshjes, por sa i takon Asociacionit, që është pjesa më e nxehtë e saj. Ka vëzhgues që si shtet sovran, i takon Kosovës që të hedhë hapa në këtë drejtim. Këtu po flasim për qytetarët tuaj, për atë përqindje të komunitetit serb që janë qytetarë të Kosovës. Cili është mendimi juaj në këtë rast?
Vjosa Osmani: Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni.
Zëri i Amerikës: Kjo ka lidhje me marrëveshjen. Unë po them ju si shtet në raport me qytetarët tuaj.
Vjosa Osmani: Është në interest të paqes dhe stabilitetit rajonal e pastaj si rrjedhojë, e gjithë kontinentit tonë.
Zëri i Amerikës: Zonja presidente ju e dini që vizita juaj këtu në Uashington është ndër të rrallat të zyrtarëve të lartë nga Kosova, për shkak të marrëdhënieve tejet problematike mes Kosovës dhe Uashingtont. Cili është mendimi juaj? A janë ato në pikën më të ulët sot?
Vjosa Osmani: Në Kushtetuën e Republikës së Kosovës institucioni i presidentit udhëheq politikën e jatshme. Pra është gjëja më normale që ftesat për në Uashington, për në Nju Jork, për në samitin e ‘Europian Political Community’, ku unë do të udhëtoj pas pak ditësh, në samitin EU Western Balkans, në samitin e Paqes për Ukrainën, ku isha, të jenë për presidenten sepse ky është zbatim i kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe kështu ka qenë gjithnjë edhe me presidetët paraardhës, të cilët e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Në asnjë mënyrë unë nuk do të thoja që po injorohet Kosova, në fakt nuk ka asnjë shtet të rajonit që është më prezent sesa Kosova, qoftë në Uashington qoftë në samite të tjera dhe kudo që na jepet mundësia jemi shteti më aktiv me punët tona, natyrisht me raportet tona, me shtetet veç e veç.
Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht.
Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA.
Zëri i Amerikës: Zonja presidente pas disa muajsh këtu në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Një pjesë e udhëheqësve të NATO-s kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të ndryshimit të administrave, kjo parë në raport me qëndrimet e zotit Trump ndaj NATO-s, skepticizmit ndaj aleancës. A jeni të shqetësuar ju në këtë aspekt?
Vjosa Osmani: Si presidente e Republikës së Kosovës nuk më takon mua të komentoj qëndrimet e kandidatëve për zgjedhjet këtu në SHA. Ajo që dua të them është se cili është qëndrimi i Republikës së Kosovës sa i takon NATO-s. NATO është aleancë që ka shpëtuar Kosovën nga shfarosja, NATO është aleanca më e suksesshme politiko-ushtarake në historinë e njerëzimit. Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Sa më shumë NATO, sa më shumë prezencë e NATO-s edhe në rajonin tonë, sa më shumë shtete në NATO, aq më paqësore dhe prosperuese do të jetë bota mbarë./ Voa

















