Përfundon takimi Kurti - Vuçiç/ Kurti: Serbia s’është e gatshme të përballet me të kaluarën.
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi takimin e dytë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në deklaratën e tij të parë pas takimit me presidentin serb Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se atij iu refuzua propozimi për një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se çështja e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiç dhe deklaratën e tij, ku theksoi se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.
Ai tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.
“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalja “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.
“Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se nuk është e lehtë të dialogosh me palën serbe, ndërsa tha se Serbia s’është e gatshme të përballet me të kaluarën.
Nga ana tjetër Vuçiç në fjalën e tij, e konsideroi takimin si jo pozitiv ndërsa theksoi se tregoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Sipas tij, Kurti kishte zgjedhur të fliste më shumë për të kaluarën.
“Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Vuçiç./M.T/dritare.net