
Si u alarmua Shtëpia e Bardhë për vendosjen e ushtrisë serbe afër Kosovës!
Dritare.net
Revista prestigjioze “Time” ka publikuar një artikull mbi “programin” e Shtëpisë së Bardhë për zbulimin e sekreteve të agjencive amerikane të inteligjencës. Kjo thuhet se është bërë për qëllime strategjike të shtetit. Ky “program” përfshin deklasifikim të informatave sekrete, kryesisht për zonat të cilat mund të përbëjnë konflikt. Një prej rasteve të tilla është Kosova
Pasditen e 27 shtatorit, një ekspert i Shtëpisë së Bardhë mori një telefonatë shqetësuese nga njëra agjenci e inteligjencës së SHBA-së. Forcat serbe po grumbulloheshin përgjatë kufirit me Kosovën, aty ku NATO-ja e ka ruajtur paqen që nga lufta e përgjakshme në vitin 1999. Tri ditë më herët, një grup serbësh e kishin vrarë një polic të Kosovës në një sulm. Tani Serbia po dërgonte drejt kufirit me Kosovën armë të rënda dhe trupa - e nis artikullin revista prestigjioze “Time”.
“Ishim shumë të shqetësuar se Serbia mund të ishte duke e përgatitur nisjen e një pushtimi ushtarak”, ka thënë një zyrtar i Këshillit për Siguri Kombëtare.
Pyetja ishte çfarë të bëhej, shkroi më tej “Time”. Përpjekjet diplomatike nga Britania e Madhe, Italia dhe shtete të tjera me trupat në terren në Kosovë kishin dështuar ta qetësonin situatën. Në Washington, vëmendja ishte kthyer te kaosi në Kongres; në shumicën e Evropës, prioriteti kryesor ishte vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën. Kështu që, si pjesë e përpjekjes që t’i bëhej presion Serbisë të tërhiqej, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, e aprovoi një kërkesë nga ekipi i tij në Evropë për të zbuluar elemente nga grumbullimi serb.
Më 29 shtator, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, bëri një telefonatë të papritur me grupin e mediave të Shtëpisë së Bardhë. Kirby dha informacion të ri për sulmin e 24 shtatorit ndaj policit kosovar dhe dha lajmin për trupat serbe, duke zbuluar se përfshiheshin artileri e avancuar, tanke dhe njësi këmbësorie. Shtetet evropiane iu bashkuan SHBA-së në presionin ndaj Serbisë, dhe Britania njoftoi për shtimin e trupave të saj në Kosovë. Brenda ditësh, trupat serbe nisën të tërhiqeshin.
“Time” shkroi më tej se deklasifikimi dhe publikimi për lëvizjet e trupave serbe është një shembull i qasjes së re të Shtëpisë së Bardhë në përdorimin e inteligjencës, që është rritur që nga reagimi i SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë. Prej vitit 2021, agjentët ishin bindur se Rusia po përgatiste pushtimin dhe Sullivan punoi me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare e atë të CIA-s të zbulonin lëvizjes e Moskës./KohaDitore

















