Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Bota po humbet besimin te gratë udhëheqëse

Bota po humbet besimin te gratë udhëheqëse

Nga Josie Cox-Bloombergbussines
Në disa aspekte, viti 2025 po duket si “viti i grave udhëheqëse”.

Në mars, Namibia zgjodhi presidenten e saj të parë grua, Netumbo Nandi-Ndaitwah. Në tetor, Sanae Takaichi u bë kryeministrja e parë grua e Japonisë. Ndërsa në nëntor, Catherine Connolly u zgjodh presidente e Irlandës, në një garë ku edhe rivalja e saj kryesore ishte grua.

Sot, gratë udhëheqin shtete ose qeveri në vende si Danimarka, Islanda, India, Italia, Meksika, Peruja, Zvicra dhe Tajlanda. Përfaqësimi i grave në parlamente ka arritur një nivel të ri rekord, mbi 27% dhe përqindja e grave CEO në 500 kompanitë më të mëdha në botë ka arritur në 6.6%, një shifër rekord, edhe pse ende shumë e ulët.

Bota po humbet besimin te gratë udhëheqëse

Megjithatë, edhe pse gjithnjë e më shumë gra po arrijnë poste të larta, besimi tek udhëheqja e tyre po ngec. Indeksi vjetor i udhëheqjes i Reykjavik-ut, i cili mat perceptimet për njerëzit në role drejtuese, pothuajse nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar, vit në të cilin indeksi ra në nivelin më të ulët që nga krijimi i tij në vitin 2018.

Në vendet e G7-ës (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA), vetëm 45% e të anketuarve thonë se do të ishin “shumë të kënaqur” me një grua në krye të qeverisë. Më pak se gjysma thanë të njëjtën gjë për një grua si drejtuese e një kompanie të madhe.

Ky ngërç pasqyron një hendek të heshtur besueshmërie që ende i ndjek gratë në pushtet, provë se, pavarësisht përparimit të dukshëm drejt barazisë gjinore, pengesa të padukshme vazhdojnë të ekzistojnë.

Të dhënat sipas vendeve
Disa vende, si Franca, Japonia dhe Italia, kanë regjistruar rritje të besimit ndaj grave gjatë vitit të kaluar. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është vlerësuar për udhëheqjen e saj në një periudhë krize kombëtare.

Por vende të tjera kanë shënuar rënie të forta të besimit.

Ironikisht, SHBA-ja dhe Gjermania, ku më shumë gra kanë arritur pozita të larta në kompani, janë ndër vendet ku besimi ka rënë. Në Gjermani, më shumë se një e katërta e anëtarëve të bordeve ekzekutive në kompanitë më të mëdha janë tani gra, dhe një numër rekord shërbejnë si CEO. E njëjta prirje shihet edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Kjo tregon se rënia e besimit përfaqëson një reagim kundër ndryshimeve në kohë pasigurie, një ide se gratë “patën shansin e tyre”, por sipas disa perceptimeve nuk arritën të përballojnë sfidat, përcjell dritare.net

Kriza me “ngjyrim gjinor”
Shumë akademikë dhe liderë biznesi besojnë se pasiguria globale po dobëson besimin te gratë udhëheqëse. Nga pandemia Covid-19 te luftërat, krizat ekonomike, fatkeqësitë mjedisore dhe frika e humbjes masive të vendeve të punës për shkak të inteligjencës artificiale, dekada e fundit ka qenë jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Njerëzit kanë një prirje natyrore drejt asaj që është e njohur. Kur bota duket jashtë kontrollit, ne kthehemi te modelet tradicionale dhe për shekuj me radhë, shumica e vendeve dhe bizneseve janë udhëhequr nga burra.

Ekonomistja Corinne Low thotë se “truri ynë është si një algoritëm i trajnuar historikisht” për ta lidhur figurën e udhëheqësit me burrin. Kur udhëheqësi është grua, ky kushtëzim e bën më të lehtë mosbesimin ndaj saj, sidomos kur figura me ndikim shoqëror e “normalizojnë” diskriminimin.

Psikologia Alison Fragale flet për fenomenin e “keqatribuimit të ankthit”, kur njerëzit e lidhin ankthin e tyre me një person apo faktor të gabuar. Në realitetin e sotëm, frika nga luftërat, krizat ekonomike dhe pasiguria politike mund të projektohet padrejtësisht tek gratë udhëheqëse.

Ajo thekson edhe ndikimin e inteligjencës artificiale, e cila shpesh mbart paragjykime gjinore në modelet gjuhësore. Këto paragjykime po formësojnë qëndrimet, sidomos te të rinjtë. Indeksi i Reykjavik-ut tregon se rënia më e madhe e besimit ndaj grave vjen nga grupmosha 18–34 vjeç.

Fenomeni “shkëmbi i qelqtë”
Një tjetër koncept është “shkëmbi i qelqtë” (glass cliff): gratë shpesh ngrihen në pozita drejtuese pikërisht në momente krize, kur gjasat për dështim janë shumë të larta.

Shembuj përfshijnë Theresa May në Britani gjatë Brexit-it apo Marissa Mayer në Yahoo. Skema është e njëjtë: një grua merr një detyrë pothuajse të pamundur, dështon, dhe kjo përforcon idenë se “një burrë do ta kishte bërë më mirë”.

Bota po humbet besimin te gratë udhëheqëse

Normalizimi është çelësi
Ekspertët bien dakord se nuk ka një zgjidhje të shpejtë për shekuj kushtëzimesh shoqërore. Por një gjë është e qartë: sa më shumë të normalizohet prania e grave në role drejtuese, aq më shumë do të rritet besimi.

Aleatët e besueshëm janë shumë të rëndësishëm. Kur figura të respektuara mbështesin publikisht gratë udhëheqëse, besimi i publikut ndryshon më lehtë.

Rritja e numrit të grave guvernatore në SHBA shihet si një shenjë pozitive: sa më “normale” të duket figura e gruas në pushtet, aq më pak do të jetë tema e gjinisë dhe më shumë ajo e kompetencës.

Sipas studiuesve, ky normalizim duhet të vlejë edhe për burrat, sidomos në profesione kujdesi dhe arsimi, ku po rritet paragjykimi ndaj tyre, një shenjë e forcimit të roleve tradicionale gjinore.

Në fund, mbyllja e hendekut të besimit do të jetë një proces i ngadaltë. Vetëm mbështetja e ndërsjellë dhe normalizimi do ta bëjnë udhëheqjen e grave diçka të zakonshme. Çdo grua që arrin majat dhe që ndihmon të tjera, e shtyn shoqërinë drejt një të ardhmeje ku udhëheqësit gjykohen për aftësitë e tyre, jo për gjininë e tyre./K.C/dritare.net