Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Botanistët zbulojnë një bimë të re mishngrënëse në SHBA

Botanistët zbulojnë një bimë të re

Botanistët kanë zbuluar një bimë të re mishngrënëse në SHBA-në perëndimore. Bima, emri shkencor i së cilës është Triantha occidentalis, gjendet nëpër ligatina dhe moçale nga Alaska në Kaliforni.

Gjatë stinës së Verës, lulet e saj dalin përmbi barin dhe janë të mbuluara nga qime ngjitëse që kapin insekte të vogla si mizat e mushkonjat. Sipas shkencëtarëve, bima grumbullon më shumë se gjysmën e azotit që i nevojitet duke zënë në kurth këto insekte, pasi mjedisi përreth saj është shumë i varfër në ushqim.

E veçanta e kësaj bime është se kap insekte që janë pranë bimëve polenizuese. Në sipërfaqe duket sikur ekziston një konflikt midis mishngrënies dhe polenizimit, i cili ndihmon në riprodhim. Por mesa duket, bima e bën dallimin pasi qimet ngjitëse në kurorën e saj nuk janë shumë të fuqishme dhe mund të kapin vetëm insekte të vogla. Kjo do të thotë që insektet më të mëdha si bletët dhe fluturat, që janë insekte polenizuese, nuk rrezikohen nga ajo./M.T/dritare.net