Hajdutët ndryshojnë trend në Britani. Vjedhin çokollata!
Dritare.net

Në disa dyqane në Mbretërinë e Bashkuar, çokollatat po mbyllen në kuti plastike pasi vjedhjet janë rritur ndjeshëm. Shitësit dhe policia paralajmërojnë se hajdutët po i marrin me porosi dhe më pas i rishesin në tregje ilegale, duke e kthyer çokollatën në një objektiv të ri të krimit të organizuar.
Supermarketet si Sainsbury’s, Tesco dhe Co-Op kanë shtuar masat e sigurisë, ndërsa disa dyqane raportojnë humbje prej qindra mijëra paundësh në vit. Pronarët thonë se persona të caktuar hyjnë dhe boshatisin rafte të tëra, me një raft çokollate që mund të vlejë deri në 500 paund.
Për të kufizuar humbjet, shumë biznese kanë shtuar kamerat, përdorin inteligjencë artificiale për të identifikuar hajdutët dhe mbushin raftet vetëm pjesërisht. Disa raportojnë se humbin qindra paund çdo javë nga vjedhjet.
Autoritetet britanike thonë se vjedhjet në dyqane kanë ndikim jo vetëm te bizneset, por edhe te punonjësit që përballen me abuzim dhe kërcënime. Policisë po i kërkohet mbështetje më e madhe dhe dënime më të forta, ndërsa strategjitë e reja synojnë bashkëpunimin mes policisë, shitësve dhe industrisë së sigurisë për të luftuar fenomenin./L.F-dritare.net