Qeveria italiane ka miratuar një plan që parashikon ndryshimin e Koloseut të Romës. Ministri i Kulturës Dario Franceschini njoftoi se në Koloseu do të ketë një dysheme prej druri duke u dhënë vizitorëve mundësinë të qëndrojnë atje ku luftuan gladiatorët dikur. I gjithë projekti pritet të përfundojë në vitin 2023.
Aktualisht, monumenti 2,000-vjeçar nuk ka dysheme. Ajo u hoq nga arkeologët në Shekullin e 19, duke ekspozuar rrjetin nëntokësor të tuneleve ku mbaheshin gladiatorë dhe kafshë. Zoti Franceschini tha se ky ndryshim i jashtëzakonshëm do t'i lejojë vizitorët të "shohin madhështinë e Koloseut" nga qendra e tij. Po kështu pas ndryshimeve në të mund të mbahen edhe ngjarje kulturore.
Koloseu ishte amfiteatri më i madh në Perandorinë Romake. Luftimet me gladiatorë dhe spektakle të tjera publike u organizuan përpara turmave me të paktën 50,000 njerëz.
Ndërsa pandemia e koronavirusit ka bllokuar turizmin, Koloseu mbetet një nga monumentet më të famshëm të Italisë. Para pandemisë, monumenti tërhoqi rreth 7.6 milion njerëz në 2019./L.F-dritare.net