Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Sot festohet Sulltan Nevruzi! Ashurja simbol i bashkimit në Teqenë e Alipostivanit. Ja receta!

Sot festohet Sulltan Nevruzi! Ashurja simbol i bashkimit në Teqenë e

Sot, në ditën e Sulltan Nevruzit, besimtarët bektashinj në Shqipëri kremtojnë një nga festat më të rëndësishme shpirtërore, që simbolizon rilindjen, paqen dhe fillimet e reja.

Në këtë atmosferë feste dhe harmonie, një nga traditat më domethënëse është përgatitja e ashures, ëmbëlsirës simbol të kësaj dite të shenjtë.

Në dokumentarin e realizuar për DritareTV, fotoreporteri britanik Robert Hackman nga Teqeja e Alipostivanit, tregon se një nga momentet më të veçanta është pikërisht përgatitja e ashures tradicionale. Në këtë teqe, ajo nuk është thjesht një ushqim, por një simbol i fortë i bashkimit, bujarisë dhe paqes mes njerëzve.

Ashurja përgatitet për mbi 3 mijë persona nga gratë dhe burrat e komunitetit, të cilët punojnë së bashku në një frymë solidariteti. Kazanët e mëdhenj ziejnë për orë të tëra, ndërsa përbërësit e saj, ndonëse të thjeshtë, mbartin kuptime të thella simbolike.

Në përbërje të ashures janë gruri i zier, që simbolizon jetën dhe vazhdimësinë; fasulet e bardha dhe qiqrat, që përfaqësojnë bashkimin e të ndryshmëve; frutat e thata si fiqtë, kajsitë dhe rrushi i thatë për ëmbëlsi dhe begati; si dhe sheqeri e kanella për shije. Mbi të gjitha, ajo përgatitet me përkushtim dhe dashuri nga komuniteti.

Pasi është gati, ashurja ndahet nëpër tasa dhe shpërndahet jo vetëm brenda teqesë, por edhe për çdo vizitor, pa dallim feje apo prejardhjeje.

“Kjo është receta jonë më e vjetër: jo vetëm për trupin, por për shpirtin,” shprehet kuzhinieri për gazetarin britanik.

Kjo traditë e veçantë e Sulltan Nevruzit mbetet një dëshmi e gjallë e vlerave të bashkëjetesës, solidaritetit dhe harmonisë që përcjell kjo festë./K.C/dritare.net