Sot ju prezantojmë me një recetë të thjeshtë dhe super të mirë. Bukë lepurushi me krem nga Edlira.
Përbërësit:
280 ml Qumësht
570 gr miell
2 vezë
90 gr gjalpë
1 luge kafeje kripë
3-4 lugë gjelle me sheqer
2 lugë e gjysmë (luge kafeje) maja pluhur
Arome vanilje, ose aromë portokalli.
Përgatitja
Qumështit të vakur i shtojmë 1/2 lugë kafeje me maja pluhur, si edhe 2 lugë gjelle me sheqer. I lëmë 10 minuta për t'u aktivizuar majaja.
Pas 10 min, shtojmë 2 vezë si dhe pak vanilje dhe i rrahim lehtë.
Ndërkohë sasisë së miellit i shtojmë 2 lugë gjelle sheqer, 1 luge kafeje me kripë dhe pasi e kemi përzier, i bashkojmë me qumështin e vezët. Punohet mirë brumi për rreth 5 minuta ose dhe më shume. (me duar ose me makineri) Më pas i shtojmë pjesë-pjesë sasinë e gjalpit, duke vazhduar ta punojmë deri sa ta ketë përthithur mirë gjalpin. Ky brumë mund të lihet në një mjedis të ngrohtë siç është kuzhina, për rreth 45 min-1 orë, që brumi ta rrisë volumin e tij. Ose mund ta lini për te paktën 3 ore në frigorifer, dhe ta përdorni kur të keni kohe.
Pas kësaj kohe brumin do e ndani ne 12 pjesë të barabarta dhe të formoni panine të vogla si në video. Lyejini me të verdhë veze të tretur me 1 luge ujë. Dhe i piqni në furrë të parangrohur në 180 gradë deri sa të marrin një ngjyrë të bukur të kuqërremtë. Lihen të ftohen plotësisht përpara se të spërkaten me sheqer pluhur. Mund të konsumohen edhe kështu, ose t’i mbushni me krem maskarpone e pana. E në fund të zbukurohen me pak reçel. Ju bëftë mirë!/dritare.net