Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Kam luhatje të shpeshta humori, çfarë të bëj? 

Kam luhatje të shpeshta humori, çfarë të bëj? 

Përshëndetje psikologe Enertila!
Unë që ju drejtohem jam një vajzë 28 vjeçe, e cila e kuptoj herë pas here veten time se pëson ndryshim humori. Nga një gjendje në të cilën ndihem mirë shkoj direkt në një gjendje që ndihem keq. Si ta kuptoj dhe si ta ndihmoj veten time të lutem. Ju falenderoj

Përgjigjet psikologe Enertila Bekteshi!
Përshëndetje lexuesja jonë!
Ndryshimet e humorit janë ndryshime të papritura . Ata lindin shpejt dhe po aq shpejt largohen. Ndryshimet e humorit lidhen me gjendjet tona emocionale dhe mënyrat në të cilat ne i përjetojmë, jetojmë, përpunojmë dhe manifestojmë ato. Ndryshimet e humorit ndodhin gradualisht .Ato janë të shpeshta dhe të zakonshme te njerëzit. Nga pikëpamja psikologjike, ato mund të konsiderohen si aspekte fiziologjike të mendjes sonë. Kur ndryshimet e humorit ndodhin, ose lidhen me ngjarje të caktuara të jetës, ato mund të konsiderohen plotësisht normale dhe të zakonshme.
Megjithatë, nëse ndryshimi i humorit shkakton vështirësi , është mirë t'i kushtosh vëmendje. Dua të them se të jesh në gjendje të kontrollosh ndryshimet e humorit mund të përmirësojë cilësinë e jetës. Në këndvështrimin tim dua të them se duhet të jetë thelbësore dhe e rëndësishme për ju të pyesni veten se çfarë ju bën të ndiheni mirë, çfarë ju relakson.
Nëse i bëni vetes këto pyetje do të jetë hapi i parë drejt një ndërgjegjësimi që mund t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë është në themel të ndryshimeve tuaja të humorit dhe si të ndërhyni . Kjo gjë mund t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë ju pengon të ndiheni mirë, dhe çfarë mund të bënit për t'u ndjerë më mirë. Mendoj gjithashtu se krijimi i hapësirave të vetes, mund t’ju ndihmojë në procesin e pranimit dhe mosgjykimit ndaj vetes. Të mësuarit e dashurisë për veten mund të të ndihmojë gjithashtu e dashur lexuesja jonë. Mendoj gjithashtu se nëse bëni një stil jetese të shëndetshëm mund të ndihmojë në reduktimin e ndryshimeve të humorit në jetën tuaj të përditshme. Aktiviteti fizik, sjell përfitime gjithashtu.
Përveç ushtrimeve fizike, një dietë korrekte, e shëndetshme dhe ushqyese mund t’ju ndihmojë në trajtimin e ndryshimeve të humorit. Është e rëndësishme të zgjidhni ushqime të lehta, të larmishme dhe në sasinë e duhur.
Nëse mendoni se luhatjet e humorit bëhen pengesë për jetën tuaj dhe shkaktojnë shqetësime psikofizike, është mirë të kontaktoni një specialist lexuesja jonë. Dua shumë të kem mundur t’ju ndihmoj sadopak me opinionin tim. Gjithë të mirat!/dritare.net