
Si të përballesh me frikën e të jetuarit vetëm!
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila
Unë që po ju shkruaj jam një lexuesja juaj dhe mendova edhe unë t'ju drejtohem. Këtë vit unë do të vi për studime në Tiranë mirëpo do të qendroj vetëm në një banesë me qera, do të vizitohem herëpashere nga familjarët por më duket e mërzitshme të qendroj e vetme në shtëpi. Si mund të përgatitem për këtë situatë ju lutem. Punë të mbarë e suksese!
Përshëndetje lexuesja jonë
Të jetosh vetëm nuk do të thotë të ndihesh vetëm. Kalimi i kohës vetëm mund t'ju ndihmojë të përqendroheni në interesat tuaja të vërteta. Në fakt, të mësuarit për të qenë vetëm është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit personal, sepse ju lejon të njihni veten. Marrëdhëniet me të tjerët shpesh përmirësohen kur mësoni të jeni vetëm. Kalimi i një kohe të caktuar vetëm mund t'i ndihmojë njerëzit të jenë më empatikë ndaj njerëzve përreth tyre.
Të qenit vetëm mund të jetë e pazakontë në disa raste ashtu sikurse ju po më tregoni rastin tuaj, ndaj unë në këndvështrimin tim sugjeroj të mësoni t'i bëni mendimet tuaja më fleksibël rreth kësaj situate dhe gradualisht, do të jetë më e lehtë.
Nëse mendoni apo reflektoni përse e keni këtë frikë do të jetë më e lehtë për ju, gjithashtu vendosni synime të vogla për t'ju ndihmuar të ecni përpara. Kushtojini vetes momente kënaqësie si të dëgjoni muzikë të mirë ose të gatuani.
Të mësosh të jesh vetëm është çelësi jo vetëm për të njohur më mirë veten, por edhe për të shijuar të gjitha aspektet e jetës sonë. Prandaj është thelbësore të përpiqeni të shijoni dhe jetoni këtë situatë . Ju uroj suksese në studimet tuaja .Gjithë të mirat!/Xh.Xh/dritare.net

















