Përshëndetje Psikologe Enertila!
Unë jam një vajzë e cila ju ndjek vazhdimisht, kam të dashurin i cili ndryshon shpesh gjendjen e tij të humorit, nga ajo që unë di dhe jam interesuar duket si bipolar. Doja të dija nga ju si te përshtatem me këtë situatë apo ta ndihmoj. Ju falënderoj e suksese!
Përshëndetje lexues të Dritare.net!
Të jetosh me një person që vuan nga çrregullimi bipolar krijon një gjendje të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në marrëdhënie ,sepse ajo që është e paqëndrueshme është disponimi i tij gjendja e tij shpirtërore, niveli i tij i energjisë. Personi shfaq një qëndrim ciklik si një ditë me mot të ndryshueshëm, humori i tij ndryshon befas dhe befas. Në mënyrë të pashmangshme ai tërheq me vete njerëzit përreth tij, të cilët fillimisht nuk janë në dijeni të patologjisë, pasi shpesh vetë bipolari nuk është i vetëdijshëm për patologjinë që vuan, ose nuk flet lehtë për gjendjen e tij, nga frika e stigmës dhe paragjykimeve shoqërore që rri pezull në këtë lloj shqetësimi.
Nëse partneri është bipolar , mund të ndodhë që ta vëreni pas muajsh apo vitesh, kur papritmas çrregullimi shfaqet. Të ndihmosh ata që vuajnë nga ky çrregullim nuk është e lehtë, kërkon shumë durim dhe shumë energji. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në zhgënjim dhe faj. Të jetosh me një bipolar është e vështirë, ai nuk ka rrugë të mesme, kalon nga faza e euforisë së plotë në të cilën ka një vetëvlerësim të ekzagjeruar dhe e toleron keq mërzinë dhe të gjitha aspektet e së përditshmes, në fazën depresive , ku humori shkon nën tokë dhe dimensioni i së ardhmes nuk ekziston. Ata që duan një person të prekur nga bipolariteti duhet të përballen me një realitet ku dashuria nuk mjafton, duhet të braktisim idenë se ndjenja mund të shërojë partnerin.
Ata që jetojnë pranë tij duhet të mësojnë të menaxhojnë ndjenjën e tyre të fajit, e cila shfaqet kur asnjë përpjekje për të ndihmuar nuk duket e mjaftueshme. Është gjithashtu e nevojshme të përpiqeni të ndani kohë për veten, përkujdesje për veten dhe mirëqenien tuaj për të rifituar qetësinë, durimin, stabilitetin emocional dhe energjinë që janë të nevojshme për të ndihmuar personin. Mendoj se duhet të silleni me qetësi dhe mundohuni ti tregoni personit gjërat pozitive,shmangni diskutimet pasi debatet mund të shkaktojë shqetësime,ndihmojeni të shprehet ,mos e gjykoni, mos e viktimizoni, mos e krahasoni,kërkojini të anashkalojë problemet e tij. Mbështetja juaj është thelbësore për ta ndihmuar ndaj uroj shumë t’u kem ndihmuar me këndvështrimin tim. Ju falënderoj dhe uroj gjithë të mirat!/dritare.net