24 vjet më parë erdha në Kanada! Pse u largova nga vendi im! Flet shkrimtari Kristaq Turtulli!
Dritare.net
Kristaq Turtulli ishte në Shqip nga Rudina Xhunga për të treguar historinë e tij. Ai rrëfen se si u largua në vitin 2000 nga Korça drejt Kanadasë.
Zoti Turtulli me profesion mësues letërsie, gazetar dhe shkrimtar tregoi se një ndër arsyet se pse vendosi të largohet ishin kushtet në Shqipëri pasi ndodhi 1997-ta.
“Kur ndodhi '97-ta, një përmbysje totale dhe nuk ishte më ajo fisnikëria totale vendosa të iki. Vjen një moment që njeriu për kushtet ndryshon mendimin, edhe pse jo një ikje e dëshiruar nga unë. Punoja si zëvendëspresident në gazetën Botë e Re, ku mblidheshin të gjithë intelektualët jo vetëm të Korçës dhe jepja mësim në gjuhë-letërsi. Në 97-ën fillova aplikimin për t’u larguar dhe në 2000-ën arrita në Kanada. Kjo ishte mundësia që m'u dha, edhe pse shumë familjarë të mi janë në SHBA. Jetoj në një qytet të madh të Kanadasë, ka 165 kombe, qytet i lirë dhe me të drejta të plota, i mirëpret emigrantët. Kanadaja dhe SHBA, janë dy shtete që u ndërtuan nga emigrantët, vetë shteti është i zhveshur nga komplekset krahinore, racore, ndryshe nga Greqia. Kanadaja është një shtet i civilizuar, demokrat. Që në ditën e parë, Kanadaja më dha mundësinë dhe kushtet, më dha shkollë në të cilën të gjithë emigrantët mirëpriten, edukohen me gjuhën dhe traditën kanadeze. Më pas je gati për të ecur në këtë shtet, të hap dritaren dhe të civilizon. Të suporton edhe me para, ka shumë mundësi dhe unë ndihem shumë i respektuar.
Kanadaja dhe SHBA ndryshojnë nga vendet e tjera të Evropës, pasi u ndërtuan nga emigrantët, të cilët mirëpriten mendjehapur dhe zemërhapur. Kanadanë dhe Amerikën e ndërtoi mendësia angleze, kultura, ligji, disiplina dhe demokracia. Nëse kjo do ndodhë në Shqipëri, duhet të ndryshohen ligjet, mendësia dhe shumë aspekte të tjera.”, tha zoti Turtulli./M.K-dritare.net