Dy motrat që shënuan histori me bimët e tokës shqiptare. Si u njohën në tregun ndërkombëtar!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama në potkastin e radhës ‘Flasim’ kishte të ftuara dy motra të cila janë edhe krijuese dhe partnere, në një sipërmarrje të përfshirë në tregun ndërkombëtar.
Ada dhe Mekena kanë treguar se si me bimët e tokës shqiptare arritën të prodhojnë produkte kozmetike dhe ta kthejnë në një biznes të njohur ndërkombëtarisht tashmë.
Shtysa për këtë sipërmarrje ka qenë Ada, me profesion kimiste e cila tentoi të eksperimentojë duke bërë varja dhe kremra të ndryshëm.
Falë këtij eksperimenti, motrat kanë arritur ta kthejnë kombinimin vajor në biznes që ka shitje edhe jashtë tregut vendas.
“Unë jam kimiste. Gjatë gjithë kohës kisha në mendje të bukurën, dhe aty fillova të eksperimentoja, midis vajrave, kremrave. Më ka pëlqyer gjithmonë fuqia që ato mbartin. E më pas kështu vijoi. Me ardhjen e demokracisë, sigurisht tregu u mbush. Aty kishte më shumë për kremrat dhe unë i merrja dhe i studioja, mbi përbërësit në etiketa. E fiksuar pas etiketave, fillova të studioja çdo përbërës të mundshëm, por në ato momente më lindi ideja, e kisha të ngulitur në mendje gjatë gjithë kohës që unë duhet të krijoja një produkt, i cili duhet të vinte shumë pastër te tregu dhe të ishin organik mbi të gjitha. Kjo më joshte gjatë gjithë kohës. Dhe ia dolëm, e krijuam. Kombinimi vajor është një nga produktet best seller për ne, por dhe për tregun. Ne tanimë, me kombinim vajor shkojmë në tregun ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Biznesi i tyre, Ada Herbs prej 11 vitesh në treg shet produkte të ndryshme dhe idetë e tyre u kthyen në realitet falë edhe bimëve nga toka shqiptare.
Ada dhe Mikena treguan se bimët e tokës sonë i kanë kthyer në produkte luksi edhe në vitrinat e botës duke krijuar njëkohësisht një treg online prej 35 mijë klientësh nga të gjitha kontinentet
“Po, në SHBA dhe kudo tjetër. Në Australi, në Japoni kemi shumë klientë. Tregun online e kemi perfeksionuar mendoj, jo vetëm nga shërbimi, por edhe nga fakti që kemi shumë vite që e kemi tonin. Në database-n tonë janë të regjistruar 35 mijë klientë që janë të përsëritur, domethënë klientë qe janë të regjistruar vetëm në database, por mund të ketë edhe të tjerë që nuk kanë mundur të regjistroheshin në database”, theksoi Mikena
Po ashtu motrat tregojnë se biznesi i tyre është bërë i njohur edhe në Vogue në Angli por edhe në revista ndërkombëtare të tjera, mes tyre edhe Bazaar.
“Ja për shembull, disa dyer që na i ka hapur prodhimi në Francë janë pikërisht këto dyer sepse në momentin që ne prodhuam në Francë, deri diku në një treg ndërkombëtar sikur u afirmuam dhe ata filluan që të na kontaktonin, të kishin vlerësime të ndryshme ose dëshironin që të provonin produktet tona, ne kemi dhe një histori goxha komike me revistën e parë që ne kemi dalë, është Vogue në Angli. Ata na kishin kontaktuar disa herë në e-mail dhe ne e shikonim me një dyshim shumë të madh e-mail e parë, si një Spam dhe nuk e besonim. Ishim gjithë kohën duke kontrolluar, duke kontaktuar IT se mos është ndonjë Spam, derisa morëm guximin pas një jave t’i shkruanim”, tha Mikena./M.K-dritare.net