
Basha: Zotit mund t'i kem hyrë në hak, Berishës jo!
Dritare.net
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të shtunë në një deklaratë për mediat tha se ish-kryeministri Sali Berisha po e çon partinë drejt greminës për interesin e tij personal.
"Në fakt zotit mund t'i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për tre muaj kam bërë çmos për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Sali Berishën për të arritur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe PD. Në fakt kam pritur që siç kishte deklaruar vetë që këtë betejë ta bënte në mënyrë personale, pa përfshirë PD. Kur këtë vendim nuk e konkretizoi me hapin që do e konkretizonte mes fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë vendimin, i vetmi vendim që ishte në favor të PD-së dhe Shqipërisë. Një person përpiqet që të marrë partinë peng për interesat e tij personale. Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani jam unë armiku. Katër muaj më parë kishim zgjedhje për kreun e PD-së dhe çdokush mund të kandidonte, sipas rregullave. Rezultati dihet votat dërrmuese që unë kam marrë. Çfarë ka ndryshuar që atëherë përveç interesat e tij personale që përpiqet të tërheq partinë në greminë. Nuk kam ndërmend t’iu përgjigjen gënjeshtrave që thuhen kundër meje, ku është amplifikuar një makineri e tërë, ku mund të jetë aksioner i fshehur Edi Rama. Ishte një vendim që nuk mund t'i shmangesha e nuk mund të dilja mënjanë”,-tha Basha./M.M-dritare.net

















