Berisha thirrje mbështetësve në diasporë: Mobilizohuni. Sulmoni ambasadat!
Dritare.net
Kryetari i PD Sali Berisha u kërkoi mbështetësve të tij jashtë vendit, të sulmojnë ambasadat shqiptare. Në një dalje për gazetarët sot, Berisha u kërkoi degëve të PD, të mobilizojnë forcat kundër ambasadave shqiptare në çdo shtet.
“Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme. Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.
Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.
Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.
Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale.
Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral.
Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë”, u shpreh Berisha./L.F-dritare.net