E lakmon Greqia, Franca dhe Holanda. Kjo është patatja më e veçantë në Shqipëri!
Dritare.net
Pesë kilometra larg Voskopojës ndodhet Krushova. Një fshat I izoluar pa rrugë, me dy banorë. Besniku dhe Kastriot Bacelli, janë të vetmit që nuk e kanë braktisur Krushovën. Ata respektuan amanetin e babait të tyre, për të mos e braktisur fshatin.
Dritare TV ishte në Krushovë, për të mësuar historinë e fshatit. Vëllezërit Bacelli thonë se toka është e artë në Krushovë. Prodhimet e fshatit janë tërësisht bio, por ndër to, ata veçojnë pataten.
“Patatja e Kroshovës është më e veçanta jo vetëm në këto anë por në mbarë Shqipërinë. Në Krushovë kanë ardhur të marrin patate edhe nga Greqia. Nga të gjithë vizitorët që kanë ardhur francezët dhe holandezët e kanë vlerësuar më shumë. Kur kanë shkelur këtu janë habitur me produktet tona që janë tërësisht bio. Sepse çdo gjë që prodhohet në këto toka është tërësisht bio. Ne nuk përdorim spërkatje, por vetëm pleh organik.
Edhe patatet vetëm i punojmë dhe hedhim pleh organik, nuk përdorim as njëlloj spërkatje. As për buburrec, siç është e zakontë për patatet. Ndaj ato janë shumë të shijshme. Patatja e Krushovës rron gjatë. Ne e shkulim pataten në shtator dhe e ruajmë deri në maj”, u shpreh zoti Bacelli për Dritare TV./L.F-dritare.net