
Kumbaro: Faleminderit Marjanës nga Beogradi që zgjodhi Sarandën!
Dritare.net
Ministrja Mirela Kumbaro së bashku me homologen Tatjana Matić mori pjesë në konferencën “Ide të reja për një kohë të re” zhvilluar në Beograd.
Në prezantimin e Shqipërisë dhe nevojës për promovim të ndërsjelltë, Kumbaro tregoi historinë e pushimeve të një qytetareje nga Beogradi në Sarandë, përvoja e së cilës tregon shumë për atë çka vizitorët e huaj gjejnë kur vijnë me pushime në Shqipëri.
“Një zonjë nga Beogradi, qytetare serbe, Marjana Raiç Deliç, e cila kaloi një javë pushime me familjen në plazhet e mrekullueshme të jugut të Shqipërisë, vendosi të ndajë me miqtë e saj në rrjetet sociale gjestin se nuk kishte gabuar kur zgjodhi Sarandën, qytetin buzë detit Jon. Një nga pyetjet më të shpeshta që i bënin, nëse është e sigurt të shkosh në Shqipëri me makinë me targa serbe, ajo iu përgjigj me një foto dhe një mesazh miqësor që i kishin lënë në makinën e saj. Mbi xham i kishin shkruar “Thank you, Welcome” zbukuruar nga disa zemra të vizatuara me gisht. Në postimin e fotos shkruhej gjithashtu: «Këtë vit ne jemi për herë të parë në Shqipëri, kemi qenë pesë ditë në Sarandë dhe nuk kemi pasur as shqetësimin më të vogël. Deti është i pastër, edhe më i pastër se në Greqi. Plazhet këtu në Sarandë të kujtojnë bregdetin kroat. Mbase ka njerëz të mirë dhe të këqij kudo, por ne takuam vetëm të mirë»”, ishte historia e qytetares serbe, të cilën ministrja e rrëfeu në panelin e konferencës për të treguar se në themel të turizmit në Shqipëri qëndron mikpritja. Gjithashtu Kumbaro tha se ka një rritje të ndjeshme të turistëve nga Serbia, shenjë kjo se ka ende shume potencial në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në këtë konferencë morën pjesë Agjencia e Turizmit e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë, përfaqësues të turoperatorëve, kompanive turistike dhe grupet e interesit nga të dy vendet. Tematikat e konferencës “Ide të reja për një kohë të re” lidheshin me bashkëpunimin rajonal, krijimin e produkteve të përbashkëta turistike, ndërlidhja e sektorit publik me sektorin privat në turizëm dhe përgatitja e burimeve të kualifikuara njerëzore.
Gjatë vizitës zyrtare te ministres Mirela Kumbaro në Serbi, u koordinua edhe panairi i gastronomisë dhe turizmit që do të mbahet në muajin shtator në Beograd mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në kuadër të memorandumit të nënshkruar ne “Open Balkan”./M.K/dritare.net

















