Gjendet pas 5 ditësh kërkime trupi i pajetë i minatorit
Dritare.net
Minatori Muharrem Plaku nuk mundi t'ja dilte, miniera që i kushtoi shumë vite punë, i mori jetën. Pas 5 ditësh i bllokuar në një galeri në minierën e Bulqizës si pasojë e shembjes së një masivi mineralesh, trupi i pajetë i 60-vjeçarit u gjet në mesnatë. Sipas mjekësisë ligjore, Plaku ishte zënë poshtë nga masivi i mineraleve të shkëputura në nëntokë, që i mori jetën.
Ngjarja u regjistrua më 15 shtator, ndërsa kërkimet për 60-vjeçarin ecën me ritme mjaft të ngadalta, për shkak edhe të rrezikut nga shembja e mineraleve, duke i hequr atij çdo shpresë për të dalë i gjallë nga nëntoka. Në të njëjtën kohë me minatorin e bllokuar ishin duke punuar edhe 5 te tjerë, të cilët kanë arritur të shpëtojnë, me dëmtime të lehta, por fatkeqësisht Plaku mbeti i bllokuar./M.T/dritare.net