Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Himara kishte dikur mbi 50 fshatra, disa nuk ekzistojnë më!

Himara kishte dikur mbi 50 fshatra, disa nuk ekzistojnë më!

Profesori Pëllumb Xhufi, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila mbi historinë e Himarës, tha se në Mesjetë Himara nuk ishte vetëm qyteti që njohim sot, por një krahinë e gjerë që përfshinte edhe Labërinë e sotme. Në dokumentet veneciane dhe ato osmane të shekujve XV–XVI, Himara përmendet si një bashkësi me mbi 50 fshatra, të shpërndarë nga bregdeti deri në Kurvelesh dhe thellësitë malore.

Sipas Xhufit, disa prej këtyre fshatrave sot nuk ekzistojnë më. Për shembull, pranë Dhermiut dhe Palasës ka qenë fshati Pangal, që mendohet se lidhet me origjinën e familjes arvanitase të ish-ministrit të Jashtëm grek, Pangalos. Po ashtu, dokumentet tregojnë se fshati Bubari ka qenë një nga më të mëdhenjtë e zonës, me rreth 400 shtëpi dhe deri në 800 luftëtarë, të organizuar në njësi të quajtura “qindësha”.

Himara historike përfshinte edhe zona si Ploçovisa (Plesh), Kurveleshi, Qeparoi, Vunoi, Palasa, Dhërmiu dhe shumë vendbanime që sot njihen vetëm nga burimet arkivore. Kjo krahinë ka pasur një popullsi të njohur për luftëtarët e saj mercenarë, që shërbenin për Venedikun dhe Mbretërinë e Napolit, por edhe për kryengritjet e shpeshta kundër Perandorisë Osmane.

“Kur themi Himarë, nuk e kufizojmë vetëm te qyteti i sotëm – është fjala për një krahinë të tërë, një hapësirë me dhjetëra fshatra, shumë prej të cilëve janë zhdukur nga luftërat, sëmundjet dhe emigracioni masiv,” – theksoi profesori Xhufi, duke nënvizuar se kjo trashëgimi duhet të studiohet dhe të ruhet si pjesë e historisë kombëtare shqiptare./ dritare.net