Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e jashtëzakonshme e Gentianës nga Tirana!

Historia e jashtëzakonshme e Gentianës nga Tirana!

Gentiana Kone, mbesa e Mustafa Merlika-Krujës vjen për herë të parë në një rrëfim për jetën e saj dhe të familjes në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. E rritur nga dy familje arsimtarësh, Gentiana e quan veten me fat, që pavarësisht se kishte një gjysh të arratisur dhe tjetrin të pushkatuar, familjarët e saj nuk u internuan.
Nga Belgjika aty ku jeton prej 29 vjetësh për gazetaren Rudina Xhunga në Dritare TV, zonja Kone tregon se që e vogël, mësoi për rrënjët dhe historinë e familjes së saj. Ajo kujton në veçanti, porosinë e prindërve për sjelljen që duhet të kishte në shkollë ku përveçse duhet të ishte nxënëse shembullore, duhet të ishte e padukshme mes të tjerëve.

Ja çfarë tregon ajo për dajën e saj, ish-kryeministrin Mustafa Merlika!
“Unë jam me origjinë tiranase. Mamanë e kam nga Tirana ndërsa babanë nga Leskoviku. Gjyshja ime nga mamaja, është Fitrete Merlika, motra e Mustafa Merlika-Krujës. Kur kthej kokën pas e mendoj veten me fat sepse familja e nënës dhe babait, edhe pse me njërin gjysh të arratisur dhe tjetrin të pushkatuar, nuk na internuan. Ndërsa të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes Merlika, kanë vuajtur në internime, nga viti 1945-1990.
Prindërit që në moshë shumë të vogël më kanë folur hapur për historinë e të parëve dhe familjes. Më tregonin edhe historinë siç e kishin perceptuar ato dhe se çfarë dokumentesh dispononin në ndryshim nga historia që jepej në shkollë. Në shkollë unë sipas këshillës së prindërve duhet të isha së pari një nxënëse e mirë, por edhe e heshtur, e padukshme, kjo ishte porosia e tyre. Por megjithatë unë e ndjeja veten shumë të lumtur që i përkisja asaj klase dhe asaj familje.
Nëna e Mustafa Merlikës ka vdekur e re ndaj motra dhe vëllezërit kanë qenë nën kujdesin e tij. Ai i rriti. Gjithmonë interesohej për familjen, për shoqërinë por ishte gjithashtu një njeri shumë atdhetar, i mençur, i gjuhës dhe letërsisë por që politika e shkatërroi. Sepse më shumë jetën e ka kaluar në mërgim. Nuk pati asnjë pronë të vetën. Dhe një njeri që bëri zgjedhje të vështira por me idenë që Shqipëria të jetë e para. Shqipëria dhe Kosova. E vetmja gjë për të cilën përflitet sot, që është cilësuar si kuisling apo fashist, është që ai shërbeu si kryeministër për një vit e gjysmë në kohën e Italisë fashiste”, u shpreh zonja Kone në Dritare TV./L.F-dritare.net