Historia e kamerierit në Greqi që ngriti bujtinë në Voskopojë!
Dritare.net
Në zemër të Voskopojës ndodhet vendi i preferuar i turistëve shqiptarë, por më shumë të huaj. Vila Falo, një oazë e ngritur nga zoti Anton Falo pasi u kthye nga emigrimi 20-vjeçar në Greqi. Zoti Falo tregon në DritareTV largimin nga Shqipëria në 1990-ën, përvojën që mori nga puna në një restorant në Greqi dhe kthimin pas 20 vitesh në Voskopojë, për ta kthyer shtëpinë e babait në një bujtinë që shumë shpejt u kthye në vendin e preferuar të turistëve.
Në Vilën Falo gjen çdo gatim tradicional të Voskopojës dhe sigurisht mjaltin që nxjerr vetë zoti Falo nga 200 kosheret që ka ndërtuar. Unë thotë zoti Falo, vazhdova traditën e familjes sime, bletarinë, sepse i dashuroj bletët e do punoj me to deri sa të kem mundësi.
“Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri në vitet 1990 unë me familjen ikëm në Greqi. Kam punuar për 20 vjet në Greqi në një restorant, buzë detit. Unë punova kamerier, gruaja kuzhiniere. Kështu fituam përvojë dhe u kthyem në Shqipëri. Me të ardhurat që nxorëm atje investuam në tokën tonë, ngritëm këtë bujtinë të vogël familjare. Këtu bëjmë ushqime tradicionale të zonës sonë, që nga lakrori me dy petë në saç, mishi i qengjit, salcat, djathërat, turshitë, rakinë e kumbullës i kemi tonën.
Unë kam dhe parkun e bletëve me rreth 200 koshere. Pasi përveç restorantit dhe bujtinës që kam merrem edhe me bletari. Mjaltin e bletëve e përdor në restorant për mëngjes, për ëmbëlsira, ua servir turistëve, bëj dhurata. Qoftë guidën në kosheret e bletëve, qoftë mjaltin e kam vënë në shërbim të turistëve që janë të shumtë. Shumë turistë pasi shijojnë mjaltin në restorant, vijnë në park dhe e nxjerrin mjaltin vetë nga kosheret, hanë mjaltë me hoje, edhe e blejnë. Jo vetëm mjaltë, por edhe qumësht blete, propolis, dyllë blete.
Profesionin e bletarisë e kam traditë familjare. Që kur kam qenë 5 vjeç babai im vuri bletë dhe unë e ndihmoja babanë. Kështu vazhdova traditën e familjes sime. Unë i dashuroj bletët e do punoj me to deri sa të kem mundësi.”, tregon zoti Anton Falo në DritareTV./K.C/dritare.net