Inxhinierët që ndërtuan Porto Palermon: Nuk punuam nga frika, por nga pasioni!
Dritare.net
Inxhinierët që morën pjesë në ndërtimin e Porto Palermos u shprehën të keqardhur që përflitet se Porto Palermo është dështim inxhinierik. Në një reportazh të realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në tunelet e Porto Palermos, inxhinierët treguan se gjithë rininë e kaluan në këtë tunel me një motiv, për të përfunduar këtë vepër gjigande inxhinierike. Për ata që thonë se kanë punuar nga frika, inxhinierët i përgjigjen duke thënë se ata nuk e njohin pasionin për punën.
“Sa e thjeshtë është për njerëzit që as nuk e njohin këtë objekt të thonë është një dështim inxhinierik? Si mundet të hidhet poshtë puna e njerëzve që kanë punuar e sakrifikuar me vite për të ndërtuar këtë vepër madhështore. Shumë njerëz që kanë punuar këtu, i kishin familjet në qytete të tjera dhe kanë ndenjur mbi 10 vjet këtu. Ky është një tunel i ndërtuar mbi shkëmb. Ndërtimi i këtij objekti as mund të imagjinohet në ditët e sotme. Është mbi çdo kapacitet njerëzor.
Erdhëm këtu 22- vjeç. Ikëm kur u bëmë 40 vjeç. Rinia bën atë që s’ta pret mendja kur ka motiv. Nuk kishim as frikë, as detyrim. Por vetëm pasion dhe një merak të jashtëzakonshëm për punën. Dhe ja ku është, pasuria që ne i lamë Shqipërisë!”, u shprehën inxhinierët./L.F-dritare.net