
Ish-ushtaraku: Si u vodhën në ’97, minat që plasën në Gërdec!
Dritare.net
Gjin Pepa është një ish-ushtarak i Bazës Detare në Shëngjin. I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Pepa tregoi se si baza ushtarake detare u hap, ku me urdhër të komandantit, marinarët u dërguan në shtëpi dhe civilët u futën brenda. Pepa tregon se në bazë gjendeshin dy tunele plot me mina detare, të cilat janë marrë dhe sipas tij nga ajo që ka mësuar më vonë, janë dërguar në Gërdec, aty ku bëhet demontimi i armëve.
“Unë kam punuar në bazën ushtarake detare në Shëngjin. Tani është një godinë dhe vetëm radarë ka, asgjë tjetër. Nuk ka më shërbim të detyrueshëm. Atje kam qenë oficer. Në fillim kam punuar në depon e minave detare. Shërbenin për mbrojtjen e porteve.
Në shkurt të vitit 1997, baza u hap. Ishte komandanti i bazës ai që na urdhëroi të iknim në shtëpi. Komandanti më thirri dhe më tha merr marinarët dhe nisi të shkojnë në shtëpi. Ishte e çuditshme për mua një urdhër i tillë, gati i pabesueshëm.
Në bazë kishte mina, të strehuara në tunel. Kanë qenë dy tunele plot me mina. Minat ngiheshin vetëm me vinç, nuk mund të ngriheshin nga njeriu vetë, sepse vetëm një minë peshonte 18 kuintal. Minat ne i lamë në tunel, bllokuam dyert që të mos kishin mundësi që të futeshin civilët. Një shok mori gurë të mëdhenj, i vendosi në dyer, në mënyrë që të mos hapeshin, e të merreshin minat. I bllokuam me fadromë, me gurë të mëdhenj.
Më vonë nuk e di se çfarë ndodhi me këto mina. Sipas asaj që kam dëgjuar, i kanë marrë dhe i kanë çuar atje ku shpërthyen, në Gërdec.
Vite më vonë shkova dhe kontrollova, pashë që në vend të minave, kishte kërpudha.
Ne kemi bërë një gjë që nuk e ka bërë asnjë shtet tjetër në botë, t hapë depot e armëve e të fusë civilët, fëmijë, gra e burra, për të marrë armët”, u shpreh Pepa në Dritare TV./L.F-dritare.net

















