Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kujdesuni për sytë e ballit! Mesazhi i doktorit Kastriot Boriçi

Kujdesuni për sytë e ballit! Mesazhi i doktorit Kastriot Boriçi

Klinika Evropiane e Syrit është klinika më e madhe në Tiranë, ku zhvillohen shumë vizita dhe operacione në sy. Themeluesi i saj kirurgu okulist Kastriot Boriçi ishte sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV dhe tregoi se në këtë klinike kryhen dhjetëra ndërhyrje në sy në një ditë dhe pacientët vijnë nga e gjithë bota. Zoti Boriçi përmes DritareTV përcolli një mesazh të rëndësishëm, të ruajmë sytë e ballit, që janë organi më delikat në trup. Ai u bën thirrje prindërve që të shmangin përdorimin e telefonit te fëmijët, për t’u mbrojtur sytë, pasi vitet e fundit është rritur shumë miopia te të vegjlit.


“Sot janë shtuar shumë pacientët me probleme me sytë. Janë shumë të rinj me miopi, që është bërë shumë problem aktualisht. Bëhet fjalë për fëmijët që i vendosin syzet në moshën 12-13-14 vjeç dhe vazhdojnë të jenë me syzë gjithë jetës, ose deri sa bëjnë një ndërhyrje me laser. Ndërhyrjet me laser bëhen në moshat 22 vjeç e lart. Për fëmijët mund të përdoren syze, ose nëse janë mbi 15 vjeç përdorën lente kontakti. Po sidoqoftë numri i njerëzve me syzë është shtuar. Ne përpiqemi të fshehim arsyen e vërtetë nga se vjen kjo. Që është shtimi i leximit nga afër dhe përdorimi i tepërt i celularit. Muskujt e syrit fokusohen në distancë të afërt dhe në këtë distancë ngrijnë dhe nuk lirohen dot kur e ngre kokën nga libri ose celulari. Pozicioni kur syri është në qetësi, është kur shikon në distancë, pra në horizont. Sepse nuk sforcohen fare sytë. Nëse një fëmijë rri 4-5 orë duke parë diçka nga afër, syri do ta japë shqetësimin edhe në distancë. Kështu krijohet miopia. Kjo nis që në mosha të vogla. Pra përdorimi i celularit është arsyeja kryesore e miopisë te fëmijët. Kush të mundet të mos rrijë në celular, sidomos fëmijët. Syri është shqisa më e rëndësishme dhe organ shumë delikat.”, tha doktori në DritareTV./K.C/dritare.net