Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Itali, Rama: Ditë historike!
Dritare.net

Qeveria shqiptare dhe ajo italiane pritet të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në Romë, e para mes dy qeverive, dhe që shënon nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama, së bashku me 10 ministra, do të marrin pjesë në takimin e përbashkët me kabinetin italian.
Kryeministri Edi Rama e quan një ditë historike të sotmen, teksa do të zhvillohet mbledhja e përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë thotë se mbledhja do t’i hapë rrugë 16 marrëveshjeve konkrete të bashkëpunimit.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t'i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.